Në takim me Kurtin, kongresisti Meeks: Serbia t’i pranojë krimet dhe ta njohë Kosovën

Prishtinë | 20 Maj 2022 | 22:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, kongresisti Gregory Meeks, ka thënë në takimin që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, se Serbia duhet t’i pranojë krimet që ka kryer dhe ta njohë Republikën e Kosovës, shkruan KultPlus.

Kurti, i cili është në vizitë zyrtare në SHBA, ka zhvilluar takime të ndryshme me kongresistë.

“Gjatë takimit u diskutua për pasojat për sigurinë e kontinentit të Evropës pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe për rrezikun që ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor paraqet për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

“Kongresisti Meeks tha se Serbia duhet t’i pranojë krimet në Kosovë dhe ta njohë Republikën e Kosovës. Ai tha se marrëdhëniet me Kosovën janë shumë të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, bëhet e ditur se Kurti e ka falënderuar kongresistin Meeks për qëndrimet dhe mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës dhe e ka ftuar që ta vizitojë Kosovën.

Të ngjashme