Në takimin e Thaçit vetëm dy persona me maska, njëri prej tyre ish-ministri Ismaili

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 07:55 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot ka ftuar në një takim përfaqësuesit e partive politike në Kosovë për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm pas rënies së Qeverisë Kurti.

Në këtë takim kanë marr pjesë krerët e të gjitha partive politike, përveç Albin Kurtit të Vetëvendosjes, parti kjo e cila u përfaqësua nga Albulena Haxhiu.

Në këtë takim ndër të tjera u diskutua për situatën me koronavirus në Kosovë, e kjo u përdor si arsye se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Por shumica e politikanëve që folën me shqetësim për situatën me Covid-19 në Kosovë, në fakt nuk mbanin fare maska e as distancë me të tjerët.

Rekomandimeve të mjekëve nuk iu janë përmbajtur as presidenti Thaçi e kryetari i LDK-së Isa Mustafa të cilët nuk qëndrojnë mirë me shëndet. Thaçi së fundmi është ankuar nga gurët në veshka e Mustafa është ende në rikuperim e sipër nga sindromi “Guillain-barre”.

Vetëm dy persona janë parë me maska në këtë takim, ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili nga PDK dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.

Kujtojmë se rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë janë që maska është e domosdoshme në vendet ku nuk mund të mbahet distanca më tepër se 2 metra, për shkak të rrezikut të infektimit nga koronavirusi nga spërklat e personave asimptomatik.

Në Kosovë deri më tani janë të infektuar 604 persona me Coronavirus, 128 të shëruar dhe 18 të vdekur.

Të ngjashme