Kosova do të ketë përfaqësim të nivelit të lartë në takimin e paralajmëruar për ditën e martë në Bruksel, në kuadër të dialogut me Serbinë, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, konfirmojnë zyrtarët e qeverisë së Kosovës.
Faton Abdullahu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e lirë se Kosova edhe më herët parimisht është shprehur për dialog me Serbinë, dhe ftesës së Brukselit për takimin e ditës së martë, i është përgjigjur pozitivisht.
“Mund ta konfirmojmë se do të shkojë kryeministri (Isa) Mustafa bashkë me presidentin e Kosovës zotin (Hashim) Thaçi. Atje do të shkojnë së bashku dhe do të jetë çdo gjë e koordinuar ndërmjet tyre për një udhëtim të tillë dhe për çdo gjë që do të kërkojë Brukseli nga Kosova”, ka thënë Abdullahu.
Në anën tjetër, autoritetet e Serbisë, gjithashtu kanë konfirmuar se në takimin e së martës në Bruksel, delegacioni i Serbisë do ta ketë gjithashtu nivelin e lartë të përfaqësimit.
Këtë e ka konfirmuar kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po ashtu ka lënë të kuptohet se të martën në Bruksel do të bisedohet edhe lidhur me situatën e krijuar ditë më parë, me trenin i cili u nis nga Beogradi për në Mitrovicë të veriut, dhe i cili pas reagimeve nga autoritetet e Kosovës, u ndalua në Rashkë nga vet autoritetet serbe.
“Serbia do të përfaqësohet në nivelin më të lartë. Do të shkojë kryetari i Republikës, Tomisllav Nikoliq dhe do të shkoj unë si kryeministër i qeverisë sonë. Mendoj që shqiptarët do t’i sjellin përfaqësuesit më të lartë. Shpresoj që do të ketë arsye të mjaftueshme dhe qasje racionale, në mënyrë që më kurrë të mos përsëritet sjellja e mjeteve luftarake dhe e armëve, në mjediset e banuara me serbe dhe që me këtë të tregohen muskujt dhe që me këtë se dikush po funksionon si shtet, ashtu siç e thonë dhe e paramendojnë ata”, ka thënë Vuçiq.
Ai gjithashtu ka shtuar se për Serbinë është e rëndësishme që të shmangen konfliktet dhe provokimet e mundshme.
“Të shmangen provokimet. Besoj që për këtë do të kemi sukses, sepse do të investojmë shumë mund dhe punë, në mënyrë që të sigurojmë ardhmëri ekonomike dhe të sigurt për qytetarët tanë, për njerëzit në Serbi”, ka thënë kryeministri serb Vuçiq.
Takimi i përfaqësuesve të lartë institucional të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, vjen pas tensioneve të shtuara ndërmjet dy vendeve, javëve të fundit.