Më 7 tetor të këtij viti pritet të nis rigjykimi ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) Agim Ademi dhe Muharrem Ramës.
Mirëpo, për shkak se është parashkruar vepra penale e ushtrimit të ndikimit për të cilën edhe ishte shpallur aktgjykim refuzues në korrik të 2019-ës, lënda tani ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Një lajm i tillë për “Betimi për Drejtësi” është konfirmuar nga gjykatësi Sabit Sadikaj, të cilit i është ndarë në punë kjo lëndë për rigjykim.
“Po kjo lëndë është tek ne dhe është caktuar më 7 tetor”, ka bërë të ditur gjykatësi Sadikaj, për “Betimi për Drejtësi”.
Ndonëse, lënda fillimisht kur ishte kthyer në rigjykim ka qenë duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda nga gjykatësja Medie Bytyqi, kjo e fundit për “Betimi për Drejtësi” po ashtu ka pohuar se kjo lëndë tani më ka kaluar Departamentin e Përgjithshëm.
Kujtojmë se ka kaluar më shumë se një vit nga vendimi i Supremes kur kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim, e deri me tani nuk është mbajtur asnjë seancë e rigjykimit ndaj Ademit dhe Ramës.
Një tentativë për fillimin e rigjykimit ishte bërë më 24 mars 2021 kur ishte caktuar një seancë për këtë rast, por ajo seancë kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarve.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medije Bytyçi kishte thënë se i akuzuari Ademi përmes mbrojtësit të tij, avokatit Labinot Murati e kishte informuar gjykatën se ishte jashtë shtetit dhe se nuk mund të ishte prezent seancën e caktuar për 24 mars.
Ndërkaq, sipas gjykatëses, i akuzuari tjetër në këtë rast, Muharrem Rama edhe pse kishte qenë i njoftuar për seancën e 24 marsit, nuk e kishte informuar gjykatën për arsyet e mungesës së tij.
Që nga ajo kohë, nuk është mbajtur asnjë seancë tjetër për këtë rast.
Ndryshe, aktakuza ndaj Ramës dhe Ademit ishte ngritur me 14 janar 2014, nga prokurori i EULEX-it, Maarten Groothuizen dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ilaz Beqiri.
Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30,000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”.
Kjo veturë, sipas prokurorisë, pretendohej më pas t’i dorëzohej ish-kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.
Ndërkaq, në pikën e dytë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzoheshin për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.
Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kishin kërkuar nga i dëmtuari Kadolli premtimin e përfitimit të pa drejtë, respektivisht shumën prej 30,000.00 euro apo veturën e tipit “BMË X5”, duke kërkuar në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e një personi zyrtar që në këtë rast ishte ish-kryesuesi i Asamblesë Komunale në Prishtinë, Sami Hamiti, që të ndryshoj statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 korrik 2019, i kishte shpallur fajtor Ademin dhe Ramën për veprën penale, detyrim në tentativë.
Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burg efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.
Në këto dënime, të akuzuarve ishte vendosur t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 shtatori deri më 2 nëntor 2012. Kurse, për veprën penale të ushtrimit të ndikimit, ishte shpallur aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.
Në shkurt të vitit 2020, Gjykata e Apelit i kishte refuzuar ankesat e të akuzuarve dhe i kishte lënë në fuqi dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë.
Mirëpo, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar më kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykatës Supreme.
E duke vendosur lidhur me këtë kërkesa, Supremja në korrik të vitit 2020 ka vendosur që t’i aprovojë si të bazuara të njëjtat dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datë 5 korrik 2019 në seancën e kolegjit të mbajtur me 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë, në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Supreme.