Institucioni i Avokatit të Popullit organizoi tryezën me temën“ Barazia Gjinore dhe drejta në regjistrim të pronës së përbashkët në emër të dy bashkëshortëve”.
Në këtë takim u tha se në komunën e Ferizaj për vitin 2016 janë bërë 201 kërkesa për regjistrim të pronës në emër të dy bashkëshortëve, më pas vjen Prishtina me 66 kërkesa dhe 35 komuna e Graçanicës. Për komuna e tjera nuk u prezantuan të dhëna.
Merita Syla, Drejtoreshë në Departamentin për Mbrojtje nga Diskriminimi, në Avokatin e Popullit, tha se kanë marrë një mandat për mbrojtje nga diskriminimi dhe barazia gjinore dhe me pa se sa është numri i regjistrimit të pronës së përbashkët.
“Avokati i Popullit me Ligjin për barazi gjinorë ka marr një mandat shtesë për mbrojtje nga diskriminimi dhe barazia gjinore, dhe në bazën e këtij mandati fokus i jepet çështjes së pronës e cila është e garantuar dhe në bazë të kësaj të drejte i njihet regjistrimi i pronës së përbashkët të dy bashkëshortëve dhe me pa se sa është i barabartë ky proces”.
Hilmi Jashari, Avokat i Popullit, tha se mos përfaqësimi i barabartë i grave po vazhdon të jetë prezent ku ai tha se kjo vërehet tek zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, raporton Ekonomia Online.
“Ne kemi dëgjuar debat për këtë udhëzim administrativ që detyron autoritetet publike për regjistrimin e pronës së përbashkët të dy bashkëshortëve, dhe konsiderojmë që një udhëzim i tillë nuk mund të konsiderohet si masë afirmative. Ligji për barazi gjinore, sa i përket kuotës 50% për përfaqim të grave në institucione publike. Në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale nuk është plotësuar përfaqësimi i barabartë. Masat afirmative janë standarde që ligjvënësi i përdorë për rast të caktuara deri të arrin qëllimin”.
Duda Balje, Kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, tha se situata në Kosovë është alarmante sa i përket barazisë gjinore sepse sipas saj shumica e grave në Kosovë nuk punojnë.
“Ne në Kosovë problemet po na renditen një pas një, së pari sjellja e ligjeve dhe udhëzimeve administrative. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ligjet për të drejtat e mia por për të gjitha fushat. Ne marrim ligje nga Kosova për t’i aplikuar ato, situata është alarmante se pjesa më e madhe grave të Kosovës nuk punon, gruaja është e dënuar të punojë në shtëpi dhe është duke ndryshuar tashmë pak kjo pabarazi, në pjesët rurale nuk kam dëgjuar që bashkëshorti po regjistron pronën e përbashkët me gruan. Duhet të flasim më shumë me burrat, vëllezërit, dhe bashkëshortët t’i bindim ata që nëse kërkohet barazia nuk do të thotë që nuk i besoni apo respektoni burrin”.
Habit Hajredini, Drejtor në Zyrën për Qeverisje të Mirë, të drejtat e njeriut, mundësi të barabarta dhe kundër diskriminim në Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, tha se për të funksionuar mekanizmat institucional për pronë të përbashkët dhe barazi gjinorë duhet që të informohen qytetarët më shumë për të drejtat e tyre.
“Aspekti ligjor është i rregulluar në Kosovë, dhe është një ndër gjërat më të mira qe kemi punuar, ajo që është e rëndësishme është që duhet të kemi mekanizma institucional që janë të thirrur për të punuar në anën e tyre”.
“Për t’i futur në funksion mekanizmat adekuat që janë për zbatimin e ligjit për ngritjen e vetëdijes qoftë në terren, më administratat, me dhanë sa më shumë informacione me shpjegua më shumë lidhur me këtë të drejtë. Pakoja e ligjeve siç është Ligji për Avokatin e Popullit, Ligji për barazi gjinore trajtojnë këto problematika por aktet nënligjore që nxjerrën nga to duhet të jenë më specifikë në zbatim. Luftimi i pabarazinë është një nga mekanizmat to”.
Luljeta Domaniku, Këshilltare në Departamentin për mbrojtje nga Diskriminimi, në Avokatin e Popullit, tha se në vitin 2016 në komunën e Prishtinës janë paraqitur 66 kërkesa për regjistrim të pronës së përbashkët ndërsa në Ferizaj 201 kërkesa si dhe në Graçanicë vetëm 35 kërkesa.
“Udhëzuesi Administrativ 03/2016 është miratuar në vitin 2016. Qëllimi i këtij udhëzimi ka qenë të ndikohet në rritjen e numrit të regjistrimit të pronës në emër të përbashkët. Komuna e Prishtinës ka gjithsej 66 kërkesa për regjistrim të pronës në emër të përbashkët. Ferizaj 201 kërkesa për regjistrim të pronës në emër të përbashkët, ndërsa Graqanica vetëm 35 kërkesa janë realizuar gjatë vitit 2016“, tha Domaniku.