Në UP diskutohet për diplomacinë e Gjenevës dhe shkëmbimet arsimore në Evropë

Prishtinë | 02 Maj 2018 | 16:18 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fakulteti Juridik, Ekonomik dhe ai Filozofik i UP-së ka mbajtur konferencë me temat “Roli i diplomacisë parlamentare në Gjenevë” dhe “Diplomacia kulturore dhe shkëmbimet Universitare – Arsimore në Evropë”.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se është i lumtur që në Universitetin e Prishtinës (UP) kohëve të fundit kanë kaluar figura të rëndësishme ndërkombëtare, që kanë ligjeruar dhe bashkëbiseduar me studentët dhe stafin e UP-së dhe sipas tij kjo është dëshmi qe përkundër sfidave të përditshmërirë kemi një universitet cilësor që nuk ndalon së shënuari suksese, raporton Ekonomia Online.

“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” kohëve të fundit ka arritur të bëhet anëtare në shumë asociacione në rajon dhe ndërkombëtare ku kemi nënshkruar 360 marrëveshje bashkëpunimi me universitetet e tjera”, tha Dema.

Ai ka vlerësuar se pa ndryshuar Universiteti i Prishtinës, nuk mund të pritet ndryshim pozitiv në Kosovë. Sipas tij, UP-ja ka krijuar klimë të mirë që ky ndryshim të ndodhë.

“Pa ndryshim të Universitetit të Prishtinës nuk ka ndryshim të Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës është duke ndryshuar falë studentëve që kemi nje rini të shkëlqyer, staf, menaxhim dhe këshill drejtues. Si ekip kemi krijuar një klimë të mirë që vërtetë të ndodhë ky ndryshim”, shtoi ai.

Eric Leyvaz, kryetar i Parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës tha se Gjeneva është vend i vogël dhe vendet si ato duhet të kenë durim të bëhen më të mira me kohë. Ai tregoi se Gjeneva është njëra nder vendet me eksportin më të madh në botë, ku vetëm vitin e kaluar ka pasur 220 miliardë euro eksport.

Ai ka deklaruar se Zvicra nuk do që të jetë pjesë e BE-së, pasi frikësohet për mungesë të diplomacisë, raporton EO.

“Arsyeja që Zvicra nuk dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian është pikërisht frika për mungesë diplomacie sepse në Zvicër fjalën e fundit e kanë qytetarët“, tha Leyvaz.

“Gjeneva është Republikë e lirë dhe Parlamenti ekziston që nga viti 1956 dhe për ta ideja e demokracisë është në thelb, në zemrat tona duhet treguar ta mbajmë të tillë. Gjeneva është territor i vogël me 500 mijë banorë, por është e njohur në Evropë sepse gjatë historisë ka ardhur një kalorës që ka ndryshuar fenë e njerëzve, ai ishte njeri i tmerrshëm dhe e ka konvertuar Gjenevën nga qytet katolik në protestant dhe kështu Gjeneva u bë thelbi i protestanizmit”, tha Leyvaz.

Leyvaz shtoi se Gjeneva ka shumë gjëra me të cilat krenohet, por njëra ndër to, më e rëndësishmja është Kryqi i Kuq.

Tahir Shabani, president i Shoqatës së Miqësisë Franko-Shqiptare tha se Universiteti i Gjenevës ka 450 vite eksperiencë dhe kjo eksperiencë e saj do të ndihmonte shumë Universitetin e Prishtinës për bashkëpunime dhe shkëmbime të praktikave univeristare në mes Kosovës dhe Gjenevës.

Të ngjashme