Në Vatikan, në Lugano e Parlamentin italian, aty ku janë pikturat e Ibrahim Kodrës! Koleksione private anembanë botës

Prishtinë | 23 Pri 2025 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse u largua i ri nga Shqipëria, Ibrahim Kodra e ruajti dashurinë për vendlindjen, të shprehur përmes penelatave shumëngjyrëshe, ku vepra e tij e mirënjohur “Shqipëria fantastike”, e realizuar në vitin e trazuar 1997, portretizonte Shqipërinë si një parajsë mesdhetare. Ibrahim Kodra pati një fëmijëri të vështirë. Ai arriti të merrte një bursë nga Mbretëria e Shqipërisë e të studionte në Milano, në një nga akademitë më të mira të kohës, në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras. Më 1944 hapi studion e tij të parë në Milano.

Më 1948 çeli ekspozitë personale dhe në grup, në “Klubin e Artit”, në Romë, ku takoi dhe u bë mik me Pablo Pikason. Ai pikturoi afreske në muzetë dhe ndërtesat më të rëndësishme të Milanos, si dhe vendosi raporte të ngushta me Henri Matis, Modiljanin e të tjerë emra që kanë bërë historinë e pikturës botërore. Kodra ka lënë më shumë se 6 mijë piktura, të cilat gjenden në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve, në Parlamentin italian, në muzeun “Kodra” në Lugano (Zvicër), në muzeun “Kodra” në Milano (Itali), në muzeume të tjera si dhe koleksione private anembanë botës. U vlerësua me titullin “Konsull Nderi” dhe iu dha pasaporta diplomatike e Republikës së Shqipërisë.

NDIKIMI

Lëvizjet thelbësore në pikturën e tij janë Kubizmi dhe Abstraksionizmi. Ai është themelues i një neokubizmi, që është vlerësuar gjithashtu nga Pablo Picasso, i cili e studioi, eksperimentoi dhe e përpunoi atë, duke krijuar një estetikë personale metafiziko-gjeometrike. Pikturat e tij janë të përbëra nga figura gjeometrike elegante, të cilat kuptohen njëkohësisht si një sintezë e realitetit dhe si një rikthim në thjeshtësinë primordiale të artit të prodhuar nga njeriu, karakteristikat e të cilit janë transmetuar në kulturën ancestrale të primitivizmit. Në hulumtimin artistik të Ibrahim Kodrës, kubizmi i Pablo Picasso ka pasur një ndikim të madh, sidomos pas miqësisë së tyre në Romë, në vitin 1948. Madje, disa gazeta spanjolle që kanë shkruar për Pablo Picasso e kanë quajtur Kodrën si “postkubistin e fundit në Evropë”, në përputhje me ndikimin e Pablo Picasso.

VEPRAT

Te veprat e tij dallohen qartë kostumet dhe veshjet shqiptare, natyra karakterizuese e popullit të tij, e madje edhe peizazhet, qoftë tablo të tëra apo edhe në sfond ngjasojnë me vendlindjen e tij, Ishmin, bregun tjetër të Adriatikut, nga Italia ku ai jetonte. Ndaj edhe Picasso e quante ushqim për shpirtin, miqësinë që ai kishte me Kodrën. “Shqiptari im” i referohej Picasso gjatë bisedave të tyre të gjata. Të gjithë artistët e mëdhenj të kohës gjatë bisedave me Kodrën përpiqeshin ta njihnin e ta imagjinonin Shqipërinë e tij përmes bisedave të Kodrës e padyshim përmes elementeve folklorike që gjendeshin në telajot e Kodrës, të cilat ishin edhe ilustrime të kujtimeve të fëmijërisë në Ishëm dhe mallit për Shqipërinë e tij.

Përmes artit të tij, Ibrahim Kodra u bë ambasadori i denjë i Shqipërisë në botë, pasi tablotë e tij gjenden në dhomat e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve (Parlamenti italian) në galeri e muze të njohur dhe koleksione private në të gjithë skajet e botës. Poeti i madh francez, Paul Eluard, në faqet e “Unité” në vitin 1946 e quajti Kodrën “primitivi i një civilizimi të ri” dhe me primitiv nënkuptonte art të kulluar në një botë të re e moderne. Primitivizmi që ai pikasi herët përmes stilit modern, apo mënyrën ekspresioniste të të menduarit dhe të jetuarit nuk ishte gjë tjetër veçse një primitivizëm që vinte nga rrënjët e tij, nga vendlindja e tij, Ishmi. Origjina nga një vend mesdhetar, me bregdet e terren porsi një tavernë e Adriatikut, por me kulturë unike, thuajse një botë e re në vetvete, ishte shtysa dhe burimi nga ku rridhte një element i ri artistik që manifestohej një formë e re krijuese, ndaj edhe Eluard e vlerësoi duke shtuar se, “Ibrahim Kodra është babai i një qytetërimi të ri botëror”. Kodra arriti ta vizitonte Shqipërinë në vitin 1973 e më pas në vitin 1996, 1997, 2003, e për t’u kthyer përgjithmonë, sipas amanetit që la, për t’u prehur në Ishëm, në vendin që e deshi aq shumë. Ibrahim Kodra, më 10 mars 1980 i dhuroi njëzet nga veprat e tij Galerisë Kombëtare të Kosovës, duke krijuar një lidhje të qëndrueshme midis artistit dhe trashëgimisë kulturore të vendit. Ky akt bujar pasuroi koleksionin e galerisë, duke bërë që veprat e Kodrës të bëhen një pjesë thelbësore e fondit të saj për koleksionin kombëtar./Gazeta Panorama

Të ngjashme