Bajram Hasani, anëtar i Kryesisë së Nismës për Kosovë, ka shprehur revoltën e tij pas shtyrjes së vendimit nga Gjykata e Apelit në Colmar për Ramush Haradinajn.
Ai ka thënë se është i zhgënjyer me moskthimin e Ramushit në Kosovë, derisa ka shprehur dyshimin se në shtyrjen e vendimit nuk ka gisht vetëm Serbia.
“Mbajtja e pakuptimtë e Haradinajt na shtynë të dyshojmë që krejt kjo lojë që po bëhet në kurriz të gjeneral Haradinajt ka edhe regjisorë të tjerë përveç Serbisë. Ky pisllëk na bënë të dyshojmë se Haradinaj po mbahet vetëm që të bëjë popullin dhe opozitën të zmbrapset nga qëndrimet kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën”, ka thënë Hasani.
Postimi i plotë i Hasanit:
“Të gjithë u zhgënjyem që Ramush Haradinaj nuk u kthye në Kosovë. Shtyrja e vendimit është një lojë nga më të pistat e më tinëzaret.
Mbajtja e pakuptimtë e Haradinajt na shtynë të dyshojmë që krejt kjo lojë që po bëhet në kurriz të gjeneral Haradinajt ka edhe regjisorë të tjerë përveç Serbisë. Ky pisllëk na bënë të dyshojmë se Haradinaj po mbahet vetëm që të bëjë popullin dhe opozitën të zmbrapset nga qëndrimet kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.
Por asgjë nuk mund të arrini. Marrëveshjet tuaja nuk do të kalojnë kurrë. Ramush Haradinaj nuk është këtu por ai ka lënë pas vetes të gjithë shqiptarët që e duan vendin e tyre dhe që besojnë në pastërtinë e Haradinajt dhe luftës së UÇK-së.
Vëllezër e motra është koha e fundit që t’i themi boll ma të gjithë atyre që po luajnë me komandantët e UÇK-së dhe të ardhmen e Kosovës.
E shtuna po ofrohet. Ora 13:00 e së shtunës duhet të na gjejnë të bashkuar në sheshet e Prishtinës. Të shtunën bashkë për të mbrojtur gjeneralin tonë, por së pari veten tonë, të kaluarën dhe të ardhmen tonë.
Shihemi të shtunën në protestë!