Në veri nis ndërtimi i shtëpive për familjet përfituese nga thirrja e MAPL-së

Prishtinë | 19 Tet 2023 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar të enjten se ka nisur ndërtimi i shtëpive për familjet përfituese nga thirrja e MAPL-së në komunat veriore të Kosovës.

Në Facebook, Krasniqi ka shkruar se bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, ishin në fshatrat Cerajë e Bistricë të Leposaviqit ku ka nisur ndërtimi i shtëpive për disa familje përfituese.

“Në veriun e Republikës së Kosovës ka filluar ndërtimi i shtëpive për familjet përfituese nga thirrja e MAPL-së për ndërtimin dhe renovimin e shtëpive. Me Ministrin Xhelal Sveçla, në Leposaviq vizituam familjen e Hajriz Aliut dhe familjen e Bashkim Ibrahimit nga Fshati Cerajë. Ndërsa në Bistricë ishim tek familja e Muharrem Muharremit dhe familja e Artan Imerit. Banorët e Leposaviqit tashmë kanë infrastruktur rrugore më të mirë për arsye të rrugës së asfaltuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

“Projekti për ndërtimin e shtëpive nga MAPL është një nga projektet qeveritare për ndërtimin e shtëpive duke pas parasysh edhe shtëpitë të cilat do të ndërtohen në lagjen Kroi i Vitakut nga MMPHI”, ka shkruar tutje ai.

Të ngjashme