Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se tashmë numri i të shëruarve e ka kaluar numrin e të infektuarve.
Haliti ka theksuar se përkundër kësaj pandemia akoma është ekzistente dhe se në Viti janë 22 raste me virusin Covid-19.“Menaxhimi me pandeminë ka qenë efikas tek e fundit tregon edhe numri i të prekurve me COVID që kemi aktiv për momentin, dhe situata e përgjithshme që kemi pasur.
Vitia vërtetë ka qenë e angazhuar jashtëzakonisht shumë që ta menaxhojë mirë pandeminë edhe pse ka qenë njëra prej komunave të para të prekura me COVID-19.
Megjithatë sot e kemi numrin 22 nuk kemi më shumë. Numri i të shëruarve është më i madh se sa ai i të infektuarve edhe pse pandemia është prezente, covidi është prezent.
Komiteti Emergjent po e bënë punën e vet të përditshme bashkërisht me policinë me shëndetësinë dhe me të gjitha komponentët me këshillat e fshatrave me mbajte situatën, kështu që besojmë shumë që do ta ruajmë dhe do ta sjellim në pikën zero” është shprehur Haliti.
Poashtu ai ka folur edhe procesin mësimor duke thënë se gjithçka po shkon në rregull.
“Procesi i mësimit po zhvillohet në mënyrë të rregullt, i kemi marrë të gjitha masat që kanë qenë të parapara nga ministria e Arsimit dhe drejtoria e Arsimit në Viti, gjithashtu edhe me drejtorët e shkollave bashkë me personelin duke respektuar masat mbrojtëse, duke dezinfektuar shkollat dhe masat e tjera si ruajtja e distancës që vërtetë janë aprovuar dhe e kanë implementu shkollat në përgjegjësi” ka thënë Haliti.
Kryetari Haliti ka treguar poashtu se nga komuna kanë bërë përpjekje që të ndihmojnë sektorin e bujqësisë si më të dëmtuarin nga pandemia.“Vitia ka qenë komuna e parë e prekur, zhvillimi ekonomik, ekonomia dëmtohet më së shumti për shakë se kemi pasur një bllokadë, kemi qenë një kohë të gjatë në karantinë. Bizneset e vogla dhe të mesme kanë qenë në krizë. Gastronomia e ndërtimtaria gjithashtu. Kemi bërë përpjekje që bujqësinë me mbajte në gjendje dhe me i realizua planifikimet që i kemi pasur të të mbjellurave sidomos pranverore sivjet. Deri diku kemi pasur rezultate të mira dhe besoj ja kemi arrit në mënyrë që mos me lënë me na dale situata me pas deficite edhe në ushqim për shkak që se një pjesë e madhe e komponentë sociale kanë pasur nevojë ushqimore e higjienike” ka përfunduar ai.