Guvernator i Bankës Qendrore i Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se sektori bankar ka vazhduar ta mbështesë ekonominë përmes rritjes së mëtejme të kreditimit, pavarësisht prej ngritjes së nivelit të rreziqeve.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se gjatë periudhës janar-dhjetor 2020 vlera e kredive të reja nga sektori bankar ishte 1.47 miliard euro, kurse nga muaji mars 2020 deri në muajin shkurt 2021 vlera e kredive të reja nga sektori bankar është 1.43 miliard euro.
Sipas tij, pavarësisht prej situatës së krijuar si rezultat i pandemisë, pozita e likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të mbetet në nivel të lartë.
Mehmeti ka treguar se raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra në fund të vitit 2020 ishte 39.8 për qind, që është lart mbi minimumin e kërkuar rregullator prej 25 përqindësh.