Në ditën kur u bë një vit nga marrja e mandatit si Ministër i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka treguar për punën që ka bërë gjatë kësaj kohe në përmirësimin e sundimit të ligjit.
Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka treguar se gjatë kësaj kohe janë hartuar gjithsej 19 projektligje.
“Në retrospektivë të vitit që lamë pas, jemi përpjekur maksimalisht dhe ia kemi arritur për të ofruar zgjidhje përmbajtjesore për sistemin e drejtësisë në përgjithësi.
Me një agjendë prej 19 projektligjesh, kemi hartuar koncepte të reja dhe domethënëse legjislative që do të mundësojnë një ndryshim thelbësor të sistemit. Në mes tjerash, kemi përmbushur me sukses Agjendën e Reformave Evropiane, përmes Ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe për Parandalimin e Konfliktit të Interesit të Zyrtarëve Publikë” ka shkruar Tahiri.
Tahiri ka përmendur edhe Pakon e ligjeve për Gjyqësorin, Ligjin për Përgjegjësitë Disiplinore për Gjyqtarë dhe Prokurorë, Kodin Penal, atë të Procedurës Penale dhe Kodin civil, si masa direkte në rritjen e sundimit të ligjit.
“Një kontribut qenësor në kredencialet tona shtetërore për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave e kemi dhënë përmes hartimit të projektligjeve për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar me vepër penale, si dhe atë për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.
Kemi filluar reformën më të madhe ndërsektoriale të sistemit të drejtësisë, Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, produktet e të cilës do sigurojnë identitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjate të sistemit” ka thënë Tahiri, duke shtuar po ashtu që është ndryshuar edhe vetë Ministria e Drehtësisë, duke u fuqizuar komponentat ekzekutive, Shërbimin Korrektues, Shërbimin Sprovues dhe riorganizimin e Avokaturës Shtetërore.
“Viti i parë ishte i orientuar në reflektim dhe konsolidim. Në vitin e dytë të mandatit, do sigurohem që të gjitha këto masa legjislative të japin efektet e tyre dhe të bëjnë diferencën që prek përditshmërinë tuaj. Kureshtjen për masat e reja që kemi në plan do ua shuajmë shumë shpejt. Bashkë, do të mundësojmë një sistem të drejtë dhe efikas të drejtësisë, besimi ndaj të cilit do rrjedh ekskluzivisht nga performanca e tij” ka përfunduar Tahiri.