Organizatat Jo-Qeveritare, IKD, INPO dhe GLPS njoftojnë se në Komunën e Vushtrrisë, në oborrin e shkollës fillore “Mihaliq” është bërë shpërndarja e fletëvotimeve jo valide.
Në fshatin Mihaliq janë shpërndarë fletëvotime të fotokopjuara dhe të plotësuara me kandidatë të caktuar të subjekteve të caktuara politike.
Lidhur me këtë veprim, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët ishin përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve në shkollën e lartcekur, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim.
Megjithatë pas 30 minutash, prokurori i shtetit ka urdhëruar Policinë e Kosovës të dalë në vend të ngjarjes për t’i larguar fletëvotimet e fotokopjuara, dhe për të marrë më shumë detaje rreth rastit në fjalë.
IKD, INPO dhe GLPS me përkrahje të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është duke monitoruar aktivitet e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në ditën e votimit më 11 qershor 2017. IKD, GLPS dhe INPO ka akredituar 65 monitorues mobil, të cilët do të jenë në lëvizje të vazhdueshme në 38 komunat e Republikës së Kosovës për të raportuar për performancën e institucioneve të drejtësisë për të gjitha rastet eventuale ku mund të rrezikohet kryerja e veprave penale kundër të drejtave të votimit.