Negociatat me BE, Rama: Nuk e imagjinoj një shtëpi ku nipërit i vënë VETO gjyshërve

Prishtinë | 18 Tet 2020 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Edi Rama ka folur me tone kritike për vendet e Bashkimit Europian të cilat kanë qenë kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Duke folur në forumin “Europa Park” në Mynih të Gjermanisë, Kryeministri shqiptar mori shembullin e një familje për ta krahasuar me Bashkimin Europian.

“Sa i takon zgjerimit, e kuptoj që është e vështirë të marrësh vendime të mëdha. Të nxitesh nga rrjetet sociale e gazetat nuk është burimi ku mund të gjesh forcën për t’u projektuar në të ardhmen. Nuk mund të imagjinoj një shtëpi që funksionon mirë ku nipërit e vegjël i vënë VETO gjyshërve. Diçka duhet të ndryshojë në strukturë. Imagjinoj Parlamentin Europian me shqiptarët, serbët, boshnjakët, është e pamundur të funksionojë, por kjo nuk nënkupton që kjo nuk është e zgjidhshme”.

Rama kërkoi nga Bashkimi Europian që të jenë të sinqertë për hapjen e negociatave, që problemet e brendshme të vendeve të tyre të mos bëhen shkas për bllokimin e Shqipërisë.

“Problemi është që ata nuk e thonë këtë. Dhe u thashë pse nuk e thua publikisht që ju duam, na pëlqeni shumë, duam që t’ju marrim, por për momentin na duhet të lyejmë shtëpinë. Jo nuk e thonë publikisht, publikisht thonë këta shqiptarët kanë probleme. Pra bëhet një probleme në vend sepse opinioni publik e dëgjon sikur ne jemi ata që po bëjmë gjënë e gabuar, jo sikur Macroni është për t’u përballur me zgjedhjet. Pozicioni ynë është shumë i çuditshëm. Ne jemi si të dashuruar, me një dashuri të verbër për Europën që nuk e vëmë në pikëpyetje. Na thuhet që Europa do të martohet me ne. Por si mund të martohesh kur nuk flet? A mund të martohesh kur nuk flet? Pra, duam të martohemi me ju por s’jemi gati të flasim. Anëtarësimi është një tjetër histori, por negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona. Anëtarësimi do të vijë për pasojë të kësaj, por negociata është ç’ka është reale për ne. Dhe ti privosh vendet nga ky instrument është e pakuptimtë. Besoj që është momenti i duhur për t’ju thënë që ejani të vizitoni Shqipërinë, është shumë e bukur, nuk do të pendoheni. Për të huajt është vendi më i siguritë në Europë”.

Një tjetër pikë ku u ndal Kryeministri, ishte edhe etiketimet për krimin shqiptar, ku insistoi që krimi nuk ka shtetësi. Ndërsa kërkoi nga BE që të forcohen më shumë shkëmbimet e informacioneve mes agjencive ligjzbatuese

“Kur bullgarët donin të hynin në Bashkimin Europian, gazetat nisën të shkruanin që ata do të përpiqeshin t’i vrisnin. Nuk ka një krim shqiptar. Krimi i organizuar është ndërkombëtar. Nuk kemi parë ndonjë kriminel të arrestuar në Shqipëri që nuk kishte të paktën 4 kode numrash në telefon. Si është e mundur që shërbimet sekrete në BE janë kaq të shkëputura? Si është e mundur që të dhënat për kriminalitetin nuk bashkëndahen? Si e lufton terrorizmin kur ti nuk e di cili është ai njeri që vjen nga Franca këtu? Ndërkohë që kriminelët nuk i kanë këto probleme. Duke folur për krimin shqiptar, në Holandë shqiptarët tashmë janë bërë gjëja më e keqe që shkon në mend. Është e mirë për politikën, por nuk është e vertetë”.

Kryeministri Rama u bëri thirrje edhe bizneseve e kompanive gjermane që të investojnë në Shqipëri, duke e vlerësuar si një treg që ofron mjedis të mirë për investitorët.

“Jemi të bindur që ne ofrojmë mjedis të mirë për të gjitha kompanitë që duan të jenë të pranishëm për linjat e prodhimit për shkak të kostos së punës, për shkak se njerëzit janë mjaft të aftë edhe me gjuhët e huaja. Sjellja e njerëzve është shumë e mirë dhe kompanitë janë shumë të kënaqur me këta njerëz sepse e ndjejnë sikur po punojnë në Gjermani praktikisht. Mendoj që është një vend mjafti i mirë Shqipëria për kompanitë gjermane”. (tvklan.al)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme