Nën masa të rrepta sigurie, tre nga 45 të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë janë sjellë në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq janë tre të dyshuarit për sulmin terrorist që la të vdekur rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku, raporton Ekonomia Online.
Tre të pandehurit për këtë sulm terrorist gjenden në masë të paraburgimit.
Për 42 të pandehurit e tjerë të rastit “Banjska” është propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë të tyre.
Aktakuza për sulmin në Banjskë u ngrit dy javë më parë, nga Prokuroria Speciale.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, përpara mediave kishte pohuar se për rastin janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur, janë marrë 120 pajisje elektrike si dëshmi dhe janë sekuestruar 1266 armë dhe pajisje të tjera.