Nëna e Cavanit e do transferimin në Atletico, PSG-ja s’po sillet mirë

Prishtinë | 22 Jan 2020 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Nëna e Edinson Cavanit e ka akuzuar Paris Saint-Germainin se nuk është duke e sjellë mirë dhe e ka theksuar dëshirën e djalit të saj për ta arritur transferimin në Atletico Madrid gjatë këtij afati kalimtar të janarit.

Kontrata e uruguaianit në Paris Saint-Germain skadon në qershor të këtij viti dhe PSG-ja s’është e gatshme të ndahet me sulmuesin në janar pa marrë ofertë prej 30 milionë eurosh, transmeton Gazeta Express.

Asnjë klub s’pritet të bëjë ofertë të tillë këtë muaj për 32-vjeçarin, pasi që e dinë se mund ta marrin atë falas këtë verë. Atletico Madridi mbetet skuadra e vetme që bëri ofertë zyrtare për Cavanin deri më tani, por oferta e tyre ishte vetëm 10 milionë euro.

“Ka negociata të hapura. PSG-ja i ka refuzuar tri oferta nga Atletico Madridi, mirëpo djali im u ka kërkuar atyre të largohet dhe ne jemi duke pritur tani të arrihet një marrëveshje mes dy klubeve”, ka thënë nëna e sulmuesit, Berta Gomez, për AS.

“Është e komplikuar, por ai dëshiron të luajë në Atletico. Nëse jo tani, atëherë të paktën verës. Ne kemi qenë duke e dëshiruar këtë kalim që disa vite, por tani nuk varet nga djali im, por nga PSG-ja dhe Atletico”.

“Ata nuk janë duke u sjellë mirë me të, veçanërisht duke e pasur parasysh gjithçka që ai ka bërë për PSG-në në shtatë vjetët sa ka qenë atje. Nëse nuk e përdor, atëherë lejojeni të shkojë te një klub tjetër që ka nevojë për golat e tij, si Atletico Madridi”.

Cavani ka luajtur në vetëm nëntë ndeshje të Ligue 1 këtë sezon, ndërsa ai mungoi në fitoren me rezultat 4:1 kundër Monacos shkaku i një lëndimi. Mungesa e tij nuk u vërejt pasi që Kylian Mbappe shënoi dy herë, ndërsa edhe Neymari dhe Pablo Sarabia kontribuuan me nga një gol në Stade Louis II.

Pasi që sulmi i preferuar i trajnerit Tuchel përbëhet nga Neymari, Mbappe, Mauro Icardi dhe Angel di Maria – Cavani thuhet se e do largimin nga Parisi. Mirëpo, klubi dëshiron ta ketë deri në fund të sezonit. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme