Buzët i dridhen teksa flet, fytyra i zbehet dhe errësira në sytë e saj duket sikur thellohet. Me duart e shtrënguara fort mbi prehrin e saj, Sebahate Berisha, 52 vjeçe, përpiqet me vështirësi t’i mbajë nën kontroll emocionet ndërsa flet për proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC), të njohura nga kosovarët si Gjykata Speciale.
“Gjykata Speciale ishte sikur t’i vrisnin fëmijët e mi edhe një herë,” thotë ajo për Justice Info, në shtëpinë e saj në fshatin Hoçë e Madhe, në komunën e Rahovecit, në jug të Kosovës.
“Ne, që i humbëm fëmijët tanë gjatë luftës, vazhdojmë të jetojmë me pasojat e saj. Prandaj kjo gjykatë nuk mund të jetë e pranueshme për ne,” thotë ajo. “Për ne, lufta nuk ka përfunduar kurrë. Ajo vazhdon të jetojë brenda nesh. Kjo gjykatë vetëm sa e thellon dhimbjen tonë, sidomos duke pasur parasysh se Serbia kreu krime në Kosovë. Pikërisht për këtë ndërhyri NATO-ja. Çfarëdo që të ndodhë, asgjë nuk mund t’i kthejë më fëmijët tanë.”
Kanë kaluar më shumë se 27 vjet që kur Berisha humbi të pesë fëmijët e saj; ishte prilli i vitit 1999. Shtëpia ku të gjithë ishin strehuar u godit gjatë një sulmi të ushtrisë serbe. Berisha u plagos rëndë. Dy ditë pas sulmit, ajo rifitoi vetëdijen në një spital në Shqipëri dhe kuptoi se të pesë fëmijët e saj – Adelina, 9 vjeçe, Njomza, 7 vjeçe, Shkurtesa, 5 vjeçe, Lezie, 2 vjeçe dhe Elhame, vetëm gjashtë muajshe – ishin vrarë. Motra e Berishës, Zyrafetja, përjetoi të njëjtën tragjedi: edhe ajo humbi tre fëmijët e saj në të njëjtin sulm.
Vetëm një javë më parë, NATO kishte nisur fushatën ajrore për t’i dhënë fund mizorive që forcat e Sllobodan Millosheviqit, udhëheqësit të atëhershëm të Serbisë, po kryenin ndaj civilëve. Ashtu si mijëra shqiptarë të tjerë të Kosovës, Berisha dhe familja e saj ishin dëbuar nga shtëpia dhe po kërkonin strehim në një fshat tjetër, kur forcat serbe ndërmorën sulmin hakmarrës dhe ata u goditën.
Megjithëse mbart plagët e një prej humbjeve personale më shkatërruese të luftës, Berishës nuk iu dha kurrë mundësia të dëshmonte për atë që i ndodhi familjes së saj. Asnjë proces gjyqësor nuk u hap për të shqyrtuar përgjegjësinë e Serbisë për këtë masakër apo për ndonjë tjetër të kryer në Kosovë. Askush nuk është mbajtur përgjegjës për këtë krim, edhe pse drejtues të lartë të qeverisë, policisë dhe ushtrisë serbe u dënuan nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY).
“Asnjë ndjenjë mbylljeje”
Tani Berisha flet në prag të vendimit të shumëpritur në çështjen kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Gjyqi i tyre nisi në prill të vitit 2023 dhe gjatë 227 seancave janë dëgjuar dëshmitë e më shumë se 130 dëshmitarëve. Në këtë proces marrin pjesë edhe 155 viktima.
Por për këtë nënë që humbi fëmijët nga forcat serbe, ky gjyq nuk sjell “asnjë ndjenjë mbylljeje”. “Nuk mund ta quaj drejtësi. Ata [Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e tjerë të UÇK-së] luftuan për lirinë, të cilën ne e paguam me një çmim kaq të lartë,” thotë ajo.
Për shumë viktima si Berisha, Dhomat e Specializuara kanë mbetur një institucion i diskutueshëm, i cili ka hasur vështirësi për të fituar besimin e atyre që vuajtën më së shumti gjatë luftës.