Nënat bëhen bashkë për të ndihmuar fëmijët e sëmurë me leukemi

Prishtinë | 01 Tet 2018 | 16:00 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënat të cilët kanë fëmijë të sëmurë nga leukemia janë bërë bashkë dhe në sheshin “Zahir Pajaziti” kanë vendosur ushqime, bizhuteri e veshmbathje të ndryshme, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse janë për shitje ato nuk kanë ndonjë çmim të caktuar. Të gjitha të hollat që do të grumbullohen nga shitja e tyre do të dhurohen për të ndihmuar fëmijët të cilët janë duke trajtuar në Kosovë nga leukemia.

Leonora Bajraktari, nga shoqata “Cure 2 Children”, e cila edhe ka organizuar këtë aktivitet, tha se përveç mbledhjes së fondeve, ky aktivitet ka për qëllim edhe vetëdijesimin e qytetarëve për ndihmën që duhet bërë fëmijëve të sëmurë nga leukemia.

“Qëllimi i këtij organizimi është që me mbledh sa më shumë fonde për këta fëmijë me i dal në ndihmë fëmijëve dhe prindërve të cilët janë të prekur dhe trajtohen këtu në Kosovë”.

“Produktet janë të gjitha punëdore nga nënat të cilat e kanë fëmijën e prekur nga leukemia edhe ushqimet janë gjithashtu të punuara nga nënat sot para mëngjesit të cilat kanë ardhur prej të gjitha viseve të Kosovës e kanë pru fëmijën në Prishtinë për me i bë analizat ose me pru fëmijën në kimioterapi dhe në të njëjtën kohë e kanë dorëzuar edhe ushqimin”.

“Janë solidarizuar me filluar si muaji tetor, muaji i solidarizimit edhe me u vetëdijesuar njerëzit qe me një gjest simbolik mund të dhënë diçka për këta fëmijë”, tha Bajraktari.

Nga Gjilani për ta përkrahur këtë nismë kishte ardhur Shqipe Sadiku, e cila vite më parë kishte fëmijën e sëmurë nga zemra.

Sadiku tha se gjetja e fondeve për trajtimin e fëmijëve të sëmurë qoftë nga leukemia qoftë nga sëmundjet e zemrës është shumë e vështirë.

“Iu kam bashkëngjitë shoqatës për me u solidarizuar me u vetëdijesua të gjithë qytetarët që të iu ndihmojnë fëmijëve që janë të sëmurë me leukemi edhe unë jam një nënë që i kam përjetuar të gjitha këto sëmundje”.

“E kam pas djalin e sëmurë prej zemrës është shëruar plotësisht kisha pas qef që qytetarët me u bashkëngjit, me u solidarizuar se në të vërtetë kanë nevojë për ndihmë. Për fonde është vështirë boll veç kush e ka përjetuar e dinë këtë”.

Aktiviteti i cili do të mbahet edhe nesër shumë shpejtë do të organizohet edhe në Gjilan.

Të ngjashme