Oferta e Kadri Veselit për t’u tërhequr nga pozita e kandidatit për Kryetar të Kuvendit vlen vetëm deri të mekurën. Nëse deri atëherë LAA dhe Vetëvendosje nuk e përmbushin kushtin e Kryetarit të PDK-së për të votuar Qeverinë Haradinaj, atëherë, edhe oferta e Veselit do të përfundojë.
Kështu ka thënë Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, teksa ka komentuar idenë e partive opozitare, se Veseli do të tërhiqet edhe pa iu plotësuar kushti për votimin e Haradinajt për Kryeministër.
“Kushti i vetëm ishte që institucionet nuk duhet të bllokohen. Në fakt, kjo ofertë vlen vetëm deri të mekurën. Mandej të shohim. Kjo është e vërteta e asaj që është bërë deri më tash”, ka thënë Hoti, për Express.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se është i gatshëm të tërhiqet nga pozita për Kryetar të Kuvendit vetëm nëse opozita e voton Haradinajn për Kryeministër.
Mirëpo, LAA dhe Vetëvendosje kanë thënë se e mirëpresin idenë e tërheqjes së Veselit, por s’e pranojnë kushtin e tij për votimin e Qeverisë së PAN-it.
Sidoqoftë, Rexhep Hoti thotë se kjo do të jetë sakrifica e fundit e PDK-së që të tërhiqet nga pozitat që i takojnë me Kushtetutë. Ka thënë se s’do të ketë më tërheqje.
“E drejta kushtetuese është e PDK-së. Pas ofertës së Veselit, më kurrë nuk do ta tradhtojë votuesin e vet. PDK do të rikthejet fuqishëm votuesit të vetë. Sepse votuesi i PDK-së është garant i sovranitetit që e gëzojmë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se deklarimi i Kryetarit të PDK-së se tërhiqet kishte ardhur për të mos mbetur të bllokuara institucionet.
“Deklarimi i z. Veseli ka ardhur pas zhurmës së madhe të skenës politike rreth përcaktimit edhe të agjendës tonë brenda PDK-së se kush duhet të jetë Kryetar i Kuvendit. Kishte një ndërhyrje flagrante për të në dëshmuar se kënd duhet ta vendosim në mënyrë që konkurentet politikë, bëri që z. Veseli t’ua bënte një ofertë fer. Kërkesa e partive opozitare është jokorrekte, jopolitike dhe jokushtetuese”, ka shtuar ai.
Ky zyrtar i PDK-së ka mohuar mundësinë që partia e tij ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, Adem Mikullovcin, për gabimet që ka bërë gjatë udhëheqjes së seancës konstituive.
Mirëpo, ka thënë se ka mbetur i habitur me frikën e Kryesuesit ndaj zyrtarëve të Vetëvendosjes, kur kishte vendosur të mos largohej nga seanca pavarësisht se e kishte mbyllur atë.
“Parimisht, nuk jam për ta gjykuar z. Mikullovci. E pamë frikën e tij për gabimin që bëri dhe gati vdiq prej frikës së Vetëvendosjes. Jam që ta lëmë të qetë. Më ka shokuar gjesti i njeriut, i cili nga frika nuk guxonte as ta lëshonte sallën e Parlamentit. Kjo dëshmon për tiraninë që ekziston në Vetëvendosje. Nuk do t’ia preferoja PDK-së ta çojë në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë ai.
Seanca konstitutive e Kuvendit e mbajtur të enjten ka dështuar për shkak se PDK nuk e propozoi kandidatin për Kryetar të Kuvendit. PDK kishte kërkuar pauzë, kurse, Kryesuesi e kishte mbyllur seancën pa përfunduar procedurat e zgjedhjes se Kryeparlaemmtarit. Edhe të premten ka pasur një seancë plenare, por ka munguar PDK-ja.
Tash, Kryesuesi Mikullovci, i ka ftuar partitë të mërkurën për konsultime për të vazhduar seancën.