Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka thënë se kontrata me NPL Prishtina Parking duhet të anulohet.
Para disa ditësh, Sahatçiu, tha se PDK nuk ka lidhje me nënshkrimin e kontratës me këtë kompani dhe se do të deklarohet shumë shpejt për kontratën, pasi të analizon detajet e kontratës.
Tani Sahatçiu ka numëruar disa arsye pse mendon se kjo kontratë do të duhej të anulohej. Ajo po ashtu shton se ka ankesa të shumta të qytetarëve për operimin e kësaj kompanie në kryeqytet dhe se të gjitha do të merren parasysh.
Ky është statusi i plotë i saj:
Kontrata 750,000 euro e NPL Prishtina Parking duhet të anulohet
Me pranimin e dokumentacionit të plotë të procesit për shpalljen e operatorit ekonomik fitues për kontratën “Shërbim me softuer për menaxhimin me parkingje publike në Komunën e Prishtinës.” shuhen shumë pikëpyetje.
A ka bazë dhe nevojë për procedurë të përshpejtuar? Jo.
A ka bazë për procedurë të negociuar? Jo. Ndonëse NPL thirret në faktin se operatori ekonomik fitues është operatori i njejtë që ka ndërtuar aplikacionet e kaluara, ka bazë të dyshohet se është lëshim i qëllimshëm duke mos e kërkuar pronësinë e kodit/pronës intelektuale në dorëzim të aplikacionit kur është ndërtuar.
A ka bazë në kërkesa për vlerën e kontratës? Jo. Volumi i kërkuar i punës mund të shndërrohet në jo më shumë se 3,000 orë pune. Çmimi i orës nuk mund të jetë 250 euro, edhe nëse heqim kostot e infrastrukturës. Hajde kontrata nuk shndërrohet në orë pune fare si njësi matëse. Nënshkrimi i kontratës si hisedarë me 15% të vlerës së qarkullimit dhe në mungesë të dorëzimit të pronësisë tek ndërmarrja përveç tjerash është edhe indikacion i kontraktimit të shërbimeve të ardhshme me të njejtin operator, me të njejtën procedurë.
A ka bazë dyshimi në kredencialet e operatorit ekonomik fitues? Po. Derisa online prezantohet si ofrues i shërbimeve të komunikimit në rrjete sociale, nuk ka asnjë kredencial online që e dëshmon përvojën e referencuar profesionale në kryerjen e shërbimeve të kërkuara.
A ka veçse bazë dyshimi me dy aplikacione mobile identike të NPL Prishtina Parking të ndërtuara nga i njejti operator? Po. Qytetarët çdo ditë raportojnë dyshime në marrjen e të hollave në dy sisteme paralele.
A i bën mirë kjo kontratë shërbimit të parkingut në këto kushte në Prishtinë? Jo, fare jo. Shto këtu edhe gjendjen aktuale në terren me qindra ankesa të qytetarëve për shërbim jo të mirë.
Kjo kontratë duhet të anulohet, duhet të ipet përgjegjësi dhe të ndalohet keqpërdorimi në vazhdim.