Nënkryetarja dhe kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, ka thënë se Vjosa Osmani, para se të kandidohej, ishte dashtë të fuqizohej në subjektin e vet politik, duke e marrë besimin për të udhëhequr atë.
Mulhaxha Kollçaku, këto komente i ka bërë përmes një statusi në llogarinë e saj në “Facebook”.
Ajo ka shkruar se sa më shpejt që formohen institucionet, aq më mirë është për të gjithë sepse në të kundërtën, në zgjedhjet e ardhshme, Vetëvendosja nuk do të ketë nevojë fare për partner koalicioni
”Në një prononcim timin pata theksuar se Vjosa Osmani, para se të kandidohej, ishte dashtë të fuqizohej në subjektin e vet politik, duke e marrë besimin për të udhëhequr atë.
Falë saj dhe frymës së ndryshimit, LDK kaloi shumë mirë në këto zgjedhje. Është e qartë se në të gjitha subjektet politike, njëra nga sfidat kryesore do të mbetet barazia gjinore.
Ajo çfarë dihet është se në këto zgjedhje sovrani dha verdiktin.
Këtë fakt nuk do ta ndryshojë asnjë rinumërim.
Ndërsa për shumicën e votave që kanë mbetur të numërohen, nuk ka dyshim se kujt i takojnë.
Qeveria Kurti do të jetësohet, prandaj sa më shpejt që formohen institucionet, aq më mirë për të gjithë.
Në të kundërtën, çdo obstruksion i qëllimshëm do të ndëshkohet, ashtu që në zgjedhjet e ardhshme, VETËVENDOSJE! nuk do të ketë nevojë fare për partner koalicioni”, ka thënë Mulhaxha Kollçaku.
Kujtojmë që Lidhja Demokratike e Kosovës, sot ka marrur vendim që diskutimet mes dy partive, VV-së dhe LDK-së për koalicion paszgjedhor, do të pezullohen deri në numërimin e të gjitha votave, atyre me kusht dhe të diasporës.
Ndërsa, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani dje gjatë takimit me Albin Kurtin ka thënë se të dy partitë kanë treguar vullnet të mirë për të qeverisur bashkë.