Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, dhe gruaja e tij, kanë rezultuar negativ për koronavirus, tha zëdhënësi i tij të premten, disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se ai dhe Zonja e Parë, Melania, kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus.
“Këtë mëngjes, nënpresidenti Pence dhe Zonja e Dytë rezultuan negativ për COVID-19. Nënpresidenti Pence është me shëndet të mirë dhe u uron qiftin Trump shërim”, tha zëdhënësi, Devin O’Malley, në Twitter.
Presidenti Trump dhe nënpresidenti Mike Pence do të punojnë nga rezidenca të ndara, i tha të premten agjencisë Reuters, një zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Më herët, mjeku i presidentit Trump, Sean Conley, tha se presidenti dhe Zonja e Parë janë “mirë aktualisht” dhe se “ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi, brenda Shtëpisë së Bardhë, gjatë rimëkëmbjes së tyre”.
“Pres që presidenti të vazhdojë t’i kryejë detyrat e tij pa ndërprerje gjatë rikuperimit dhe unë do t’ju mbaj të informuar për çdo zhvillim në të ardhmen,” tha Conley.
Është e paqartë se çfarë simptomash kanë – nëse kanë – presidenti dhe gruaja e tij.
Disa orë më herët, Trump tha se do të nisë “procesin e karantinës”, pasi një ndihmëse e afërt e tij rezultoi pozitive në testin për koronavirus.
Hope Hicks, këshilltare e presidentit, u diagnostikua më 1 tetor, pas disa udhëtimeve me presidentin këtë javë.