Shtëpia e Bardhë planifikon ta shpërbëjë Task-Forcën për Coronavirusin

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan Donald Trump e ka konfirmuar se Task-Forca për Coronavirusin e Shtëpisë së Bardhë do të përfundojë punën, ndërkohë që zëvendëspresidenti Mike Pence ka sugjeruar që të shpërbëhet brenda disa javësh.

“Ne po e rikthejmë vendin tonë”, ka thënë Trump gjatë vizitës në një fabrikë për prodhimin e maskave në Arizonë.

“Mike Pence dhe Task-Forca kanë bërë një punë të mrekullueshme, por tani po shohim për një mënyrë ndryshe, dhe kjo është siguria dhe hapja. Dhe, do të kemi një grup tjetër që do të krijohet, me shumë gjasë, për këtë gjë”.

Presidenti amerikan – që kishte vendosur syze sigurie, por jo maskë gjatë kësaj vizite – është pyetur nëse kjo është “mision i kryer me sukses”.

“Jo, jo aspak. Mision i kryer me sukses do të jetë kur gjithçka të përfundojë”, ka thënë ai.

Kritikët e kanë akuzuar presidentin se po e sakrifikon shëndetin publik të amerikanëve duke këmbëngulur në rihapjen e ekonomisë, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Trump ka thënë në Arizona se demokratët po shpresojnë që politika e tij për koronavirusin të dështojë “në mënyrë që ata t’i fitojnë zgjedhjet”.

Infeksionet e reja gjatë ditës në SHBA aktualisht janë 20,000 në shifrën më të lartë, derisa vdekjet në 24 orë e tejkalojnë shifrën prej 1000.

Zyrtarët shëndetësorë amerikanë paralajmërojnë se virusi mund të përhapet kur bizneset fillojnë të rihapen.

SHBA aktualisht ka 1.2 milion raste të konfirmuara me koronavirus dhe më shumë se 70,000 vdekje, sipas Universitetit Johns Hopkins që po regjistron shifrat globale për pandeminë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme