Ambasada e Italisë në Prishtinë, ka dorëzuar materiale teknike për kërkim – shpëtimin malor, si dhe ka nënshkruar marrëveshjen për krijimin e stacioneve të kërkim – shpëtimit malor, raporton Ekonomia Online.
Projekti synon të ofrojë informacion mbi shërbimet dhe shtigjet duke rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit, ndërsa përfitues janë komuna e Deçanit, Pejës dhe Junikut.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e ka quajtur hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve në shpëtimin malor.Ajo ka thënë se krahas peizazhit të bukur që kanë këto aktivitete, ato sjellin dhe rreziqe. Prandaj këto pajisje për siguri do të parandalojnë aksidentet dhe do të rrisin sigurinë për të gjithë ata që zgjedhin të vizitojnë dhe të eksplorojnë malet e Kosovës.
“Është një hap i rëndësishëm drejtë forcimit të kapaciteteve tona në shpëtimin malor, me përfaqësuesit po dhuron pajisjet e shpëtimi malor në tri komunat tona, në Pejë, Deçan dhe Junik. Prandaj në emër të Ministrisë dua të shpreh falënderimet më të thella të qeverisë italiane. Shumë mirënjohjes të punës të shumë aktorëve të turizmit. Vullneti i tyre po plotësohet më shpëtimin e jetës së qytetarëve dhe turistëve në Kosovë duke u pajisur me këto pajisje për shpëtim kërkim. Vullnetarizmi dhe kontributi i të gjithë akterëve të turizmit është jetik për sigurinë e aktivitet e malore dhe mirëqenien e qytetarëve. Ndonëse Kosova ka një peizazh të mrekullueshëm që ofron shumë mundësi për turizëm por këto aktivitet sjellin dhe rreziqe. Prandaj këto pajisje për siguri do të parandalojnë aksidentet dhe do të rrisin sigurinë për të gjithë ata që zgjedhin të vizitojnë dhe të eksplorojnë malet tona”, u shpreh ajo.
Ambasadori i Italisë në Prishtinë Antonelo De Riu ka thënë se NaturKosovo, promovon një partneritet publik-privat, i cili ruan dhe përmirëson infrastrukturën turistike, e cila ka kushtuar 1.8 milionë euro nga buxheti i qeverisë së tyre.
“Ky promovon një partneritet publik-privat për të ruajtur dhe përmirësuar infrastrukturën turistike përgjatë Via Dinarica. Ai synon të ofrojë informacion mbi shërbimet dhe shtigjet duke rritur ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetin. Për më tepër, sipërmarrësit vendas dhe shoqatat e biznesit do të marrin udhëzime nga OJQ-të italiane për të përmirësuar aftësitë e mikpritjes në aktivitetet në natyrë, duke përfshirë alpinizëm, shëtitje, ngjitje dhe ndihmën e parë për individët e lënduar në zona të largëta, komponentë jetikë për të rritur numrin e vizitorëve në këto peizazhe të mrekullueshme”, ka thënë De Riu.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka vijuar se ky bashkëpunim, me të cilin është themeluar edhe njësiti për kërkim-shpëtim ka qenë shumë i domosdoshëm për komunën që ai e drejton.
Edhe kryetari i komunës së Junikut Ruzhdi Shehu dhe ai i Pejës, Gazmend Muhaxheri shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Ambasadës së Italisë për bashkëpunimin.
Ndërkaq, koordinatori i projektit, Filippo Vigani falënderoi për mbështetje Ambasadën e Italisë dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ai u shpreh optimist për vazhdimin e bashkëpunimit për projekte të reja.