Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës Rexhep Hoti sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Junikut Agron Kuçi për realizimin e Programit Nacional për Rininë në nivelin lokal.
Hoti theksoi se komuna ka rol shumë të rëndësishëm në zbatimin e programit dhe se mbështetja e tyre është e domosdoshme.
“Përmes këtij programi nxënësit do të kenë hapësirën e munguar për të praktikuar atë që e mësojnë në shkollë. Gara do ta gjallërojë shkollën, shtëpinë, qytetin dhe gjithë Kosovën sepse nxënësit do të shpërblehen dhe puna e tyre do të publikohet. Me këtë program për herë të parë qeveria po kthehet tek nxënësit dhe po investon për ta”, tha Koordinatori Hoti.
E kryetari Kuçi e mirëpriti programin duke thënë se një program i tillë i ka munguar Kosovës. “Ky program i ka munguar Kosovës. Unë uroj që të jetë i përhershëm sepse implementimi i tij do të ketë impakt të jashtëzakonshëm. Unë besoj se përmes këtij programi do ta ketë rritje të cilësisë në arsim sepse gara e stimulon mësimi. Ju garantoj mbështetjen e komunës sime për këtë program sepse ky program është dashur të bëhej moti”, theksoi kryetari Kuçi.
Hoti u shoqërua nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe SportitLeonora Morina-Bunjaku si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri. Ata dhanë mbështetjen e ministrive që përfaqësojnë për Koordinatorin Hoti duke thënë se presin që ky program të ndikojë pozitivisht në ngritjen e cilësisë në arsim.
Marrëveshja e bashkëpunimit me Komunën e Junikut të përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me diturinë, kreativitetin kulturor dhe mendimin kritik, si dhe sportin.