Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar Rregulloren për Procedurën e Përcaktimit dhe Verifikimit të Reciprocitetit, nga e cila bashkëkombësit dhe shtetasit e huaj fitojnë të drejtën e pronësisë mbi pronat e paluajtshme.
“Bashkëkombësit si dhe shtetasit e huaj do të mund të fitojnë të drejtën e pronësisë mbi pronat e paluajtshme në Republikën e Kosovës. Nga sot, me nënshkrimin e Rregullores për Procedurën e Përcaktimit dhe Verifikimit të Reciprocitetit, bashkëkombësit tanë të cilët duan të fitojnë të drejtën e pronësisë mbi pronat e paluajtshme, por edhe investitorët e huaj e subjektet tjera, do të mund ta realizojnë këtë të drejtë pranë autoritetit kompetent sipas rregullave të përcaktuara me këtë akt nënligjor”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Sipas saj, e drejta për posedim të pronës tani po rregullohet në mënyrë që të mos privohen bashkatdhetarët dhe në anën tjetër të krijohen kushte më të përshtatshme për investitorët nga jashtë.