Nëntë persona me aktakuza për shkelje të procesit zgjedhor

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën më 6 tetor nuk kaluan pa probleme. Edhe në këtë proces zgjedhor u shkel ligji dhe rregullat që janë të përcaktuar për zgjedhjet.

Sipas Prokurorisë së Shtetit janë ngritur disa aktakuza për persona të cilët nuk kanë respektuar procesin zgjedhor.

Në faqen zyrtare të Prokurorisë së Shtetit janë publikuar aktakuzat e ngritura ndaj nëntë personave të cilët penguan procesin zgjedhor.

Në Mitrovicë është ngritur aktakuzë ndaj tre të pandehurve, A.B., I.B., dhe D.B, në drejtim të veprave penale “Pengim i procesit të votimit”, dhe “Lëndim i lehtë trupor“. Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton se të pandehurit, në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 06 tetor 2019, në shkollën e mesme të ulët të fshatit Kçiq i Madh të Mitrovicës, kanë vepruar në bashkëkryerje me përdorim të forcës ndaj F.K., zyrtar i tavolinës ndihmëse i emëruar nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Republikës së Kosovës. Të njëjtit e kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin F.K, me ç`rast kanë penguar procesin e votimit, i cili ka rezultuar me ndërprerje të procesit të votimit.

Në Prizren është ngritur aktakuzë kundër A.M. dhe F.S për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit” . Prokuroria Themelore në Prizren njofton se sipas aktakuzës, i pandehuri A.M., me datë 06.10.2019 rreth orës 13:20 minuta në Mamushë në vendvotimin 3201A në shkollën fillore “Anadolu” cenon fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës, në atë mënyrë që pasi voton fletëvotimin përmes telefonit celular “Samsung Galaxy J3” e fotografon dhe pastaj e poston në rrjetin social “Facebook” . Ndërsa i pandehuri F.S., me datë 06.10.2019 rreth orës 11:00 në fshatin Sllapuzhan – Komuna e Suharekës, në vendvotimin e objektit shkollor ”Xhavit Sylaj” cenon fshehtësinë e votimit të zgjedhjeve për deputet të Parlamentit të Kosovës, në atë mënyrë që pasi voton, fletëvotimin përmes telefonit celular “iPhone XR” e fotografon dhe pastaj e poston në rrjetin social “Facebook” si dhe në portalin ,”Suhareka online”.

Në Ferizaj është ngritur aktakuzë kundër një personi të pandehur me inicialet D.SH.,i komunitetit serb, nga komuna Shtërpcë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”. Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se sipas aktakuzës, i pandehuri D.SH., me 06 Tetor 2019, në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në qendrën e votimit me numër 2306D, në fshatin Jazhincë, komuna Shtërpcë, ka shfrytëzuar varësinë ekonomike dhe profesionale të votuesve, duke ndikuar tek të njëjtit duke iu dhënë disa fletëvotime në formë të udhëzimeve që të votojnë për kandidatët e partisë politike “Lista Srpska”.

Në Gjilan është ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurit Q.R., për shkak të veprës penale ‘’Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’’. Prokuroria Themelore në Gjilan njofton se sipas aktakuzës, i pandehuri Q.R., në ditën e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të Kosovës, përkatësisht më 06 tetor 2019, rreth orës 9h, duke qenë aktivist i partisë Vetëvendosje dhe anëtar i Këshillit iniciues të kësaj partie, në pikën e votimit në fshatin Pozheran, në mënyrë të kundërligjshme ka ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesit, në atë mënyrë që në oborrin e shkollës së mesme ‘’Kuvendi i Manastirit’’, e kishte ndalë bashkëfshatarin e tij L.A., me ç’rast të njëjtit i kishte dhënë dy letra, njëra me numrat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe tjetra si fotoalbum me të gjithë kandidatët për deputet nga ana e kësaj Partie, me qëllim që i njëjti të votonte për kandidatët e këtij subjekti politik, të preferuar nga i pandehuri.

Po ashtu në Gjilan është ngritur edhe një aktakuzë ndaj të pandehurve Zh.D. dhe V.B., për shkak të veprës penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’. Prokuroria Themelore e Gjilanit njofton se sipas aktakuzës, të pandehurit Zh.D. dhe V.B., që nga data 26 shtator 2019, deri më 02 tetor 2019, në Kllokot, në fshatin Vërbovc dhe Gërnqar, në vazhdimësi, kanë kanosur të dëmtuarit O.K., S.K. dhe J.K., në atë mënyrë që me veprimet e tyre fillimisht kanë ushtruar presion tek i dëmtuari S.K., ashtu që gjersa ishin në veturë zyrtare, fillimisht e ftojnë për të biseduar, e më pas kërkojnë që të hyjë në veturë pa dëshirën e tij, me qëllim që ta dërgojnë në Kllokot, për të biseduar rreth zgjedhjeve, në mënyrë që të heqë dorë nga partia SLS dhe të kthehet në krahun e partisë së Listës Serbe, me ç’rast i njëjti në momentin kur vetura ngadalëson arrin që të largohet.

Në të gjitha këto raste thuhet se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Valmir Ismaili nga Demokraci Plus ka thënë për Telegrafin se të gjithë personat që kanë bërë këto shkelje dënohen me kodin penal të Kosovës nga një deri në pesë vite burgim.

“Kodi Penal i Republikës së Kosovës i sanksionon shumë mirë të gjitha veprat penale që lidhen me cenimin e fshehtësisë së votës apo përcaktimin e lirë të votuesve. Nga një deri në pesë vite me burgim mund të dënohet secili person që bënë ndonjërën nga shkeljet e sipërpërmendura. Fatkeqësisht, në të kaluarën ata që kanë kryer këto vepra nuk kanë marrë dënimet e merituara apo ka edhe raste që janë akoma në proces. Kjo ka ndikuar që mos të ketë një vetëdijesim të duhur të komisionerëve por edhe personave të tjerë që mos të bëjnë veprime të tilla”, ka thënë ai.

Sipas Ismailit edhe po të ketë monitorim të madh nëse nuk ka vendime sanksionuese atëherë shkeljet mund të përsëriten.

Në momentin kur shkelësit e ligjit marrin dënimet e merituara atëherë rastet e tilla do të jenë më të vogla ose nuk do të ndodhin fare. Monitorimi sado i madh që të jetë, nëse nuk ka vendime sanksionuese nga organet kompetente, në këtë rast gjyqësori, atëherë rastet e shkeljeve mund të përsëriten”, është shprehur ai.
Ndryshe rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.49 për qind të votave, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind të votave. Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta. Ndërsa ende nuk ka përfunduar procesi i certifikimit të votave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme