Nëntë vatra zjarri janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në gjithë Shqipërinë, përkatësisht në Gjirokastër, Vlorë, Fier dhe Dibër.
Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 40 zjarrfikës me 8 automjete, 40 forca ushtarake, si dhe helikopterë.
Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin pasi rreziku i zjarreve për shkak të temperaturave të larta është ende evident.
Në malin Mile Konispol, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Zjarrfikëset e Sarandës e kanë të pamundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit. Për këtë shkak është dërguar një helikopter i cili po punon për shuarjen e zjarrit.
Në fshatin Mavrovë, Selenicë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 150 ha me shkurre dhe 300 rrënjë ulliri. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
Në fshatin Vodicë, Selenicë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Zjarrfikëset kanë operuar me mjete rrethanore dhe kanë shuar flakët pas disa orësh. Nga zjarri u dogj një sipërfaqe me shkurre.