Komandanti i stacionit të zjarrfikësve në Prishtinë Latif Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online ka paraqitur një kërkesë drejtuar Qeverisë në ardhje.
Zeka ka kërkuar që t’i jepet epilog statutit të zjarrfikësve i cili ka mbetur peng tash e nëntë vjet.
“Do të kërkojmë të zgjidhet statusi i zjarrfikësve. Qe 8 a 9 vjet nuk është zgjidhur, por besoj që do të zgjidhet, tash kujt i përket nuk është me rëndësi a Ministrisë së Punëve të Brendshme a Agjencionit për Menaxhim Emergjent apo të kthehemi nëpër komuna”.
Komandanti Zeka ka treguar poashtu se gjatë vitit 2020 kanë kryer rreth 1 500 intervenime.
“Kemi pasur mbi 1 500 intervenime domethënë nuk i kam nxjerrë për muajin e fundit, por deri në këtë muaj kanë qenë 1 478 intervenime plus edhe ky muaj ka qenë mbi 1 500”, ka thënë ai.
Zekaj gjithashtu ka bërë me dije për EO se Coronavirusi i ka marrë jetën një zjarrfikësi, kurse gjashtë të tjerë kanë qenë të infektuar.
“Të prekur i kemi pasur gjashtë zjarrfikës por për fat të mirë të gjithë e kanë kryer me sukses këtë Covidin përjashtim një zjarrfikës serb që e kemi në kuadër të brigadës që e ka humbur jetën”.
Zeka ka thënë se zjarrfikësit kanë gëzuar shtesat prej 900 euro nga Qeveria.
“Për fat të mirë në vitin e lamë pas diku 900 e disa euro i kanë marrë si shtesa çdo zjarrfikës. A është në rregull po them që s’është në rregull sepse duhet të kompnesiohen zjarrfikësit për çdo muaj të paguhen orët shtesë, orët e natës e orët e festave”.
“I kemi marrë të gjithë a janë siç duhet të jenë nuk e di por po i kemi marrë”.