Një ditë pas takimit ndërmjet liderëve të partive në pushtet, kryetari i Lidhjes Demokratike ka paralajmëruar ndryshime në qeveri, të cilat mund të ndodhin në çdo moment.
KOHA kupton se rikonfigurimi i qeverisë synohet të bëhet edhe me zgjerim të koalicionit ose ndryshim të partnerëve në rast se konfirmohet aktakuza e Gjykatës Speciale ndaj presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli. Partinë e këtij të fundit, që është e treta në Kuvend për nga numri i deputetëve, LDK-ja e dëshiron në koalicion.
Mustafa ka shkruar të martën në “Facebook” se, proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve. Ai ka thënë se LDK-ja do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.
“LDK-ja do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.
Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim”, ka shkruar ai.
Por zyrtarë të PDK-së kanë thënë se në rrethanat aktuale nuk ka gatishmëri t’i bashkëngjiten asnjë koalicioni. Zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyqi, e ka quajtur të çuditshme dhe të turpshme të diskutohet për pozita, kur vendi po ballafaqohet me krizë të shëndetit publik. I pyetur nëse PDK-ja mund të ndryshojë qëndrim nëse Gjykata Speciale e konfirmon aktakuzën ndaj kryetarit të tyre, Bytyqi ka shtuar se nuk mund ta parashikojnë të ardhmen.
“Unë nuk mund të lëshohem në rrethana hipotetike, por si zëdhënës i PDK-së aktualisht mund të konfirmoj se në rrethanat aktuale nuk ka gatishmëri të bashkëngjitet në asnjë koalicion me asnjë parti, duke e respektuar vullnetin e votuesve dhe qytetarëve të vendit për të qenë në opozitë. Ne jemi parti opozitare, jemi në opozitë dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë rrethanë. Ne nuk e parashikojmë dot të ardhmen, por në këtë situatë në të cilën gjendet Kosova, ne do të jemi në opozitë”, ka thënë Bytyqi.
E, kryetari i PDK-së ka takuar të martën strukturat e partisë në Prizren, prej ku ka thënë se, Kosova ndodhet para sfidave të mëdha nacionale dhe politike. Sipas tij, PDK-ja është e vetëdijshme për këtë situatë, dhe sikurse më herët ka ditur të sillet karshi nevojave të shtetit.
Analisti Krenar Shala thotë se me konfirmimin e aktakuzave nga Dhomat e Specializuara, kalkulimet e partive politike mund të ndryshojnë. Sipas tij, subjekteve që janë në pushtet, por edhe PDK-së në opozitë nuk iu konvenojnë zgjedhjet.
“….me promovimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të kryetarit të saj për t’u bërë presidenti, ka treguar se kjo qeveri nuk mund të mbijetojë nëse PDK-ja nuk futet në qeveri dhe ndoshta ka treguar që AAK-ja dhe Nisma do të largohen nga kjo qeveri. Kjo qeveri do të mundohet që t’i ikë sa më shumë zgjedhjeve, për atë është formuar dhe për të shpëtuar nga kthetrat e luftës antikorrupsion”, ka thënë Shala.
Para disa ditësh, Ramush Haradinaj e shpalli kandidaturën e tij për president, duke i çuar sinjale LDK-së se nëse nuk e mbështet, as partia që drejton ai nuk do ta përkrahë dikë tjetër. Por, ndryshe prej negociatave kur i zhvillonte me Lëvizjen Vetëvendosje, tani LDK-ja nuk dëshiron që presidenti të jetë temë diskutimi përderisa nuk sfidohen nga afatet kushtetuese.