Nëse nuk zgjidhet çështja e emrit, Maqedonia do të jetë vëzhguese në NATO

Prishtinë | 06 Pri 2018 | 17:25 | Nga

Nëse palët negociouse nuk arrijnë marrëveshje të plotë për zgjidhjen e kontestit bilateral për emrin, ekziston mundësia që Shkupi të marrë vetëm statusin e vëzhguesit në NATO.

Këto janë parashikimet e deputetit të partisë opozitare greke Demokracia e Re, Nikitas Kaklamanis. Në një intervistë për radion 247, Kaklamanis, i cili është edhe nënkryetar i Kuvendit të Greqisë, ka thënë se vështirë mund të arrihet marrëveshje e plotë deri në korrik.

“Parashikimi im është se në Samitin e NATO-s, pasi që mendoj se deri atëherë nuk do të arrihet marrëveshje, mund të bjerë propozimi në tavolinë, siç ka kërkuar Greqia, posaçërisht për ndryshimet në Kushtetutë, mund të bjerë propozim në tavolinë dhe qeveria e Ciprasit dhe Kamenosit të pranoj atë, se në rregull, nuk është arritur marrëveshje e tërësishme por ta vendosim Shkupin në NATO si vëzhgues”, thotë Nikitas Kaklamanis, Demokracia e Re.

Ai ka kritikuar Qeverinë greke se nuk ka informuar partitë opozitare dhe nuk ka formuar linjë nacionale, posaçërisht para vizitës së Kociasit në Shkup.

“Do të ishte e udhës që zotri Cipras, personalisht ai t’i ftonte liderët e partive politike të thotë, kjo është ajo që e propozojmë ne, këtu gjëra na kanë propozuar shkupjanët, a mund të krijojmë një strategji nacionale para se Kocias të shkoj në Shkup? Kjo nuk ndodhi dhe ishte gabim”, thotë Nikitas Kaklamanis, Demokracia e Re.

Ndërkohë, bashkëpartiaku i tij Jorgos Kumucakos, pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kocias, deklaroi dje se pas këtij takimi është intensifikuar shqetësimi i tyre, duke shtuar se partia e tij mbetet fuqishëm në qëndrimin për nevojën e një zgjidhje komplete, gjithpërfshirëse dhe përfundimtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme