Menaxheri i mesfushorit ka refuzuar të kërkojë falje, duke hedhur benzinë në zjarr, pas një varg akuzash drejtuar menaxherit spanjoll, duke vënë në dyshim edhe aftësitë e tij menaxheriale.
Menaxheri i Yaya Toure, Dimitri Seluk e ka paralajmëruar trajnerin e Manchester City se nëse do luftë, do t’i plotësohet dëshira.
Seluk, që është menaxher i mesfushorit qysh kur lojtari i Bregut të Fildishtë ishte adoleshent, filloi ta sulmojë spanjollin kur lojtari filloi të mbetet në bankë, transmeton Klan Kosova.
Për këtë arsye Pep ka deklaruar se pa kërkuar falje për deklaratat menaxheri i Toure, mesfushori do të mbetet në bankë.
Seluk e ka akuzuar spanjollin për trajtim jo të mirë të Toure dhe ka kërkuar nga ai që të ketë këllqe të kërkojë falje nëse Citizens nuk bëhen kampionë të Europës këtë edicion.
Seluk ka shkuar më tutje duke thënë se nëse Pep do luftë, do t’i plotësohet dëshira, duke theksuar se Yaya ka bërë histori tek skuadra nga Etihad Stadium.
Ai më tutje ka sulmuar spanjollin pasi i ka thënë se jetojmë në një botë ku liria e shprehjes është e garantuar për të gjithë.
Menaxheri i mesfushorit është marrë me rolin e spanjollit tek Barcelona, duke deklaruar se triumfi i Luis Enrique ka treguar se suksesi i gjigantit katalunas nuk ka qenë produkt i Pep.
Sa i përket punës së Guardiola tek Bayern Munich, Seluk ka thënë se edhe gjyshi i tij do ta kishte fituar Bundesligën me atë skuadër.
“Gjyshi im do ta fitonte Bundesligën me skuadrën që ka pasur Bayern Munich. Carlo Ancelotti do ta mbaj këtë tempo, por dallimi është se ai do ta fitojë Ligën e Kampionëve”.
“Kur Guardiola u largua nga Bayern shumë njerëz ishin të lumtur. Nuk ishte shumë i dashur atje”.
“Nëse Pep do ta tregojë veten si menaxher, atëherë le të shkojë tek Zaragoza apo Sunderland. A mund ta bëjë atë që e ka bërë Claudio Ranieri me Leicester City dhe Mauricio Pochettino me Tottenham?”