Kryeministri Isa Mustafa, vazhdon të këmbëngul në formimin e një Komisioni me ekspertë përkatës për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, duke vlerësuar si formën më të mirë për t’u siguruar nëse demarkacioni me Malin e Zi është i drejtë apo jo.
Këto komente Mustafa i bëri gjatë homazheve tek varri i ish presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e 72-vjetorit të lindjes.
Mustafa ka garantuar se nëse pas matjes del që Kosova me demaskimin e kufirit me Malin e Zi po humb territor, atëherë do të bëjnë korrigjime, raporton Ekonomia Online.
Ai ka shtuar se do të bëjnë çdo përpjekje për të argumentuar para qytetarëve se çfarë territori ka Republika e Kosovës pas shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi.
“Nëse vërtetohet që territori i Kosovës është më i vogël se sa e kemi pas, ju garantoi se do të bëjmë korrigjimi. Ndërsa nëse vërtetohet se territori është ai që e kemi pas e kemi obligim që ta respektojmë dhe të vazhdojmë me demarkimin e kufirit edhe me Serbinë”, ka potencuar Mustafa.
I pari i Qeverisë, ka thënë se nuk dëshirojnë të vazhdojnë më tutje me dyshimin që Kosova ka humb territor, duke thënë se ekzistojnë arkivat e shtetit të cilat flasin për territorin që e ka pas Kosova.
Këtë ide të kryeministrit Mustafa, e kanë kundërshtuar partitë opozitare.