Pesë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosjes të dyshuar se kryen sulm terrorist ndaj ndërtesës së Parlamentit pritet të merren në pyetjet nga Prokuroria në fillim të javës së ardhshme. Prokurori i rastit, Abdurrahim Islami ka treguar se janë duke grumbulluar rezultatet e provave që i kanë dërguar për ekzaminim në laboratorë. Ka thënë se intervistimi i të dyshuarve do të bëhet një nga një.
Pesë anëtarët e Vetëvendosjes të dyshuar se përgatitën dhe ekzekutuan sulmin terrorist ndaj ndërtesës së Parlamentit të Kosovës do të merren në pyetje gjatë fillimit të javës së ardhshme.
Kjo është bërë e ditur nga Prokurori i rastit, Abdurrahim Islami, i cili ka thënë për Gazetën Express, se kanë marrë shumicën e rezultateve laboratorike të provave që i kanë gjetur në vendin e ngjarjes. Ka treguar se po i presin edhe disa rezultatet për t’i lexuar dhe vlerësuar se çfarë do të bëjnë më tutje.
“ Nga e hëna ose e marta do të fillojmë me marrjen në pyetje një nga një të aktivistëve”, ka bërë të ditur Islami, për Express.
“Ende nuk është ngritë ndonjë aktakuzë për zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje. Shumica nga provat e dërguara në laborator kanë ardhur por po presim t’i mbledhim të gjitha”, ka deklaruar ai.
Prokurori ka thënë se intervistimi i të dyshuarve për javën e ardhshme e kishte deklaruar edhe më herët pasi është vazhdimësi në procedurën penale.
Gjashtë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje ishin arrestuar 26 ditë pas sulmit me zollë mbi Kuvendin e Kosovës. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Astrit Dehari, i cili vdiq të shtunën e kaluar në rrethana ende të pasqaruara në paraburgim.
Sulmi me zollë kishte ndodhur në mbrëmjen e 2 gushtit në kohën kur në Parlament ishte paraparë të votohej demarkacioni. Zolla ishte hedhur në drejtim të ndërtesës së Kuvendit nga personi që ishte duke vozitur një motor, i cili më vonë ishte gjetur i djegur me benzin, në periferi të Prishtinës.
Ndërkohë që gjyqtari Vehbi Kashtanjeva në muajin shtator të këtij viti gjashtë të dyshuarve u kishte caktuar atyre dy masa të ndryshme sigurie. Tre të arrestuarve për sulmin në Kuvend u është caktuar paraburgimi, ndërsa tre të tjerëve arresti shtëpiak. Paraburgim për tre muaj kishte paraparë për Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe tashmë të ndjerin Astrit Deharin. Ndërsa arresti shtëpiak prej një muaji u është caktuar Frashër Krasniqit, Adea Batushës dhe Petrit Ademit.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht kishte thënë se aktivistët e tyre nuk kryen sulmin mbi Parlament dhe akuzuan Policinë dhe Prokurorinë se fabrikuan faktet që implikojnë anëtarët e tyre në vepra terroriste.
Megjithëkëtë, Luan Keka, Zëvendësdrejtor i Njësisë së Terrorizmit në Policinë e Kosovës, kishte thënë se në bazë të hetimeve policore kanë arritur që të identifikojnë të gjithë planin e sulmit të bërë më 4 gusht.
“Të gjitha këto prova e kanë ndërlidhë grupin e arrestuar më këtë sulm. Pas aksionit të bastisjeve u sekuestruan edhe një mori armësh që lidhen me rastin e sulmit”, ka thënë ai.
Gazeta Express kishte publikuar të gjeturat nga Policia e Kosovës lidhur me anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i impliko-honin në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit.