Sveçla pas intervistimit të ish-shefit të AKI-së: Do të merren në pyetje edhe krerët shtetëror

Prishtinë | 15 Nën 2018 | 09:10 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

E plotësuar: Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, Xhelal Sveçla pas intervistimit për më shumë se gjashtë orë të ish-drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, tha se ka dëshmi për shkelje ligjore, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se ka tendencë që faji të hidhet nga një institucion në tjetrin, derisa tha se në planin e veprimit të komisionit është edhe raportimi i krerëve shtetëror.

“Sot dha dëshmi ish-drejtori i AKI-së, tash sekretar i presidencës. Ishte një intervistim gjatë i këtij komisioni, shumë prej të gjeturave nuk mund të bëhen publike. Është një tendencë që faji të hidhet prej një institucioni në tjetrin”.

“Ne do të vazhdojmë intervistimet deri sa të dalim me një raport. Ka dëshmi të mjaftueshme për shkelje ligjore, por institucionet po e hedhin nga njeri te tjetri. Në planin e veprimit të komisionit është paraparë që edhe krerët shtetëror të raportojnë para komisionit”.

“Edhe një muaj zgjat mandati i këtij komisioni dhe ne duhet që gjatë seancës plenare ta dorëzojmë raportin”.

EkonomiaOnline

DREJTPËRDREJT – Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, Xhelal Sveçla deklarohet pas intervistimit të ish-drejtorit të AKI-së, Driton Gashi

Posted by EkonomiaOnline on Thursday, November 15, 2018

Ish-shefi i AKI-së në raportim për dëbimin e shtetasve turq

Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi, do të intervistojë ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi raporton Ekonomia Online.

Sot ishte paralajmëruar që të intervistohej edhe inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkëlzen Sopjani dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj mirëpo për shkak të agjendës së këtyre dy të fundit, intervistimi do të shtyhet për një ditë tjetër.

Edhe pse ishte paralajmëruar që mbledhja të fillojë në ora 8:30 në mungesë të kuorumit ajo filloi me një orë vonesë.

Deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi propozoi që mbledhja të mbahet në prani të medieve për shkak që sipas tij, tashmë nuk ka informacione që bëjnë rrezik për shtetin.

“Unë nuk mendoj që në rastin konkret që sot përbën rrezik shtetëror sepse ky rast ka kaluar dhe nuk përbën asnjë rrezik dhe janë në interes të publikut dhe unë mendojnë që është e duhur që mediet të rrinë”.

Mirëpo me shumicë votash u vendos që mbledhja të mbahet e mbyllur. Pas mbledhjes pritet të ketë prononcim për media.

Ditë më parë ishte intervistuar edhe ish-drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni. Intervistimi i Maxhunit kishte zgjatur mbi dy orë.

Policia e Kosovës kishte arrestuar në mars të këtij viti gjashtë shtetas turq, punëtorë të kolegjit Mehmet Akif, shkollë e cila është pjesë e rrjetit të shkollave të klerikut Fetullah Gulen, i cili kërkohet nga Turqia me akuzën se qëndron prapa puçit të dështuar në këtë shtet dy vjet më parë. Arrestimi kishte ndodhur pas një bashkëpunimi me inteligjencën turke.

Mësuesit e kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina dyshohet se janë pjesëtar të organizatës “FETO”.

Pas arrestimit të shtetasve turq, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.

Në fund të muajit tetor, Komisioni Parlamentar për hetimin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq të deportuar nga Kosova në Turqi, nisi punën me intervistimin e zyrtarëve policorë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Të ngjashme