Nesër “Diaspora Flet” në Kuvend

Prishtinë | 17 Maj 2018 | 17:37 | Nga

Përmes konferencës katërditore “Diaspora Flet”, Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim Germin, mundëson që bashkatdhetarët nga vende të ndryshme të botës të debatojnë bashkë me deputetët në sallën plenare për çështje që lidhen me diasporën dhe të drejtat e tyre, por edhe potencialin e pashfrytëzuar profesional dhe intelektual të tyre në krijimin e politikave më të mira për ata dhe vendet e tyre të origjinës.

Kryeparlamentari Kadri Veseli do të moderojë seancën e punës dhe do të bëjë hapjen e saj para se t’ia jap fjalën profesionistëve të fushave të ndryshme të diasporës shqiptare e që vijnë në Kosovë nga shtete të ndryshme të botës, për t’iu dëgjuar zëri rreth temave të ndryshme që lidhen me të drejtat politike, shoqërore e ekonomike.

Richard Lukaj, drejtor ekzekutiv i “Bank Street Group” në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të flas për investimet strategjike dhe edukimin; Brikena Muharremi, avokate dhe anëtare e bordit Germin si dhe udhëheqëse e shoqatës së avokatëve shqiptaro-britanik në Londër të Britanisë së Madhe, do të flas për qasjen institucionale në të drejtën e diasporës për votë; Mark Kosmo, anëtar i bordit Germin dhe udhëheqës i MAASBESA në Boston të SHBA-së do të flas për angazhimin e diasporës dhe rolin institucional dhe filantropinë; Lulzim Syla nga NRW në Gjermani do të flas për politikat ekonomike dhe zhvillimin lokal; Indira Kartallozi, nga Antëerp në Belgjikë do të flas për ndërmarrësin dhe ndërmarrjet shoqërore; dhe Hilmi Gashi nga Bernë i Zvicrës po ashtu do të marrin fjalën në seancën e punës me deputetët.

Pas përfundimit të mbledhjes kushtuar diasporës, pjesëmarrësit e konferencës do të jenë pjesë e katër mbledhjeve të ndara nëpër komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Anëtarët e Task Forcave të Germin do të angazhohen së bashku me deputetët e komisioneve parlamentare në adresimin e temave kryesore të diasporës që lidhen me të drejtat politike, shoqërore dhe ekonomike.

Gjatë sesioneve, pjesëmarrësit nga diaspora do të kenë mundësinë që të njoftohen dhe avokojnë direkt në agjendat e deputetëve në temat e caktuara të interesit.

Në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike do të diskutohet për: “Politikat kryesore të dala nga nevojat e Diasporës përgjatë implementimit të nismës “Dialogu i Strukturuar për të Drejtat e Diasporës”. Hilmi Gashi nga UNIA në Zvicër dhe Jetmir Bakija nga Demokracia Plus janë liderë të kësaj Task Force, dhe së bashku me deputetët do të dalin me rekomandime konkrete për temën që do ta diskutojnë.

Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacione dhe Ndërmarrësi do të diskutohet për: “Mësimi plotësues jashtë vendit, Qendrat Kulturore dhe Shkëmbimi Profesional me Diasporën”. Indira Kartallozi, nga Kaleidoscope Futures Lab në Belgjikë dhe Bashkim Meholli nga UraCult në Gjermani janë liderët e Task Forcës që do të prezantojnë planet e veprimit për ekipet e tyre.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit do të diskutojë së bashku me përfaqësues të diasporës temën: “Korniza ligjore, përfaqësimi i Diasporës dhe e drejta për votë “.  Brikena Muharremi nga BALA në Mbretëri të Bashkuar si dhe Mark Kosmo nga MAAS BESA, në ShBA, janë liderët e Task Forcës që trajton këtë temë.

Në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal do të diskutohet për: “Politikat Ekonomike, promovimi i projekteve lokale dhe regjionale për zhvillim”. Lulzim Syla nga Ellen Group, në Gjermani dhe Franceska Gjorga nga House Committee në ShBA janë liderët e Task Forcës që diskuton këtë temë bashkë me deputetët.

Nga të gjitha sesionet e punës përfaqësuesit e diasporës së bashku me deputetët do të zhvillojnë disa plane të veprimit dhe do të dalin me rekomandime për mënyrën e përfshirjes së diasporës në krijimin e politikave që avancojnë situatën e diasporës dhe shoqërisë së vendeve të tyre të origjinës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme