Nesër fillon kampi “Ndërkombëtar” me 40 të rinj pjesëmarrës

Prishtinë | 06 Gus 2018 | 16:15 | Nga

Nesër do të fillojë kampi “Ndërkombëtar” me 40 të rinj nga Amerika, Izraeli, Franca, Maqedonia dhe Kosova të cilët për një javë do të qëndrojnë në Qendrën Rekreative të Gërmisë duke punuar në realizimin e projekteve vullnetarëve përmes së cilave do t’i përmirësojnë shkollat publike në Kosovë.

Të rinjtë pjesëmarrës në kamp, përmes aktiviteteve socializuese dhe edukative, do t’i zhvillojnë shkathtësitë e tyre të punës me dru, komunikimit dhe bashkëpunimit. Ata do të vizitojnë vende të ndryshme të Kosovës, po ashtu do të kontribuojnë në komunitet duke ndërtuar ulëse për përmirësimin e oborrit të shkollës fillore “Dardania” në Pejë.

Kampi i “Super-Vullnetarëve” organizohet nga Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim – TOKA dhe ka për qëllim të zhvillojë te pjesëmarrësit kompetencat e parapara me Kornizën e re Kurrikulare të Kosovës, po ashtu synon që përmes vullnetarizmit edukativ të nxisë qytetarinë aktive te të rinjtë.

Ky kamp financohet nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Kampi gjithashtu përkrahet nga organizata mjedisore WWF Adria dhe Komuna e Prishtinës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme