Tre të rinj, 20, 21 dhe 23 vjeç vdiqën dje në një aksident të rëndë trafiku në magjistralen Shtime-Suharekë, konkretisht në Duhël. Aty mbet i lënduar edhe një person tjetër, i njëjti është jashtë rrezikut për jetë. Aksident me fatalitet gjatë ditës së djeshme ndodhi edhe në Vitomiricë të Pejës. Jetën e humbi një 63 vjeçar e lëndime morën dy gra. Për dy muaj e gjysmë në Kosovë në aksidente të ndryshme trafiku kanë humbur jetën 20 persona.
Në Lipjan sot është ditë zie. Kryetari i kësaj komune Imri Ahmeti mori këtë vendim në shenjë solidarizimi për familjet që humbën fëmijët e tyre në këtë aksident. Ai po ashtu njoftoi se lamtumira e fundit për dy të rinjtë nga Lipjani do të ju jepet ditën e nesërme në ora 12:00 në fshatin Llugaxhi (tek varrezat e vjetra).
Policia tha se nga aksidenti tragjik në vendin e ngjarjes mbetën të vdekur: S.T viti i lindjes 1996, L.R viti i lindjes 1998 dhe V.H viti i lindjes 1999.
Nga informacionet e para që kanë mbledhur, organet e hetuesisë thanë se vetura e tipit “Golf 6” e marrë me qira ka tejkaluar në vijën e plotë duke u goditur me një kamion. Në këtë veturë ndodheshin tre të rinjtë që ende nuk dihet se cilin vend e kishin destinacion.