Nesër do të mbahet në Prishtinë, mbledhja e përbashkët e dy qeverive Shqipëri-Kosovë.
Ndërsa sot, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij, pritet të vizitojë familjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Kosovë. Po ashtu, Rama do të vizitojë dy nga fabrikat eksportuese më të mëdha kosovare.
Sipas agjendës Rama do të ndalet në orën 17:00 në Xërxë në fabrikën e miellit, “M&Sillosi” ku do të bisedojë me rreth 500 fermerë, ndërsa në 17:45, do ta vizitojë fabrikën e dyshekëve, “Comodita” në Gjakovë.
Kjo është hera e dytë që Rama viziton sektore të korporatës. Hera e parë ishte më 2014. Në këtë vizitë në Kosovë, Rama do jetë bashkë me delegacionin ku bëjnë pjesë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, Mirela Kumbaro e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe Elisa Spiropali, ministre për marrëdhëniet me parlamentin,
Pasi t’i kenë përfunduar këto vizita të dielën, ministrat do të shkojnë në Prishtinë, ndërsa Rama do të shkojë në Burojë, te familja e ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilin e vizitoi ditë më parë edhe në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Një ditë më pas, në Prishtinë mbahet takimi i radhës i qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë. Mbledhja e fundite qeverive Kosovë-Shqipëri u mbajt në fund të nëntorit të shkuar në Elbasan.
Agjenda e kryeministrit Rama nesër:
11.00 – Mbërritja e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Ceremonia zyrtare e pritjes
11.15 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Kosovë – Shqipëri
Fjalë e z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Fjalë e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim
12.20 – Prezantimi nga z. Eric SMIT, Drejtor i “Royal Haskoning DHV”
Infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë, dhe Porti i thatë në Kosovë.
12.30 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare
12.45 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave
18.00 – Promovimi i librit “Përplasja e Madhe” të Enver Hoxhaj