Nesër opozita shqiptare nis “aksionin” e rrezikshëm, do të ketë kaos në disa rrugë

Prishtinë | 03 Pri 2018 | 18:13 | Nga

Dita e nesërme do të hapë zyrtarisht siparin e asaj që opozita e ka quajtur si e vetmja mënyrë për të shporrur nga pushteti një qeveri të inkriminuar kokë e këmbë.

E nesërmja do të jetë dhe e para ditë ku opozita do të nisë mosbindjen civile. Fillimisht PD do të bllokojë një sërë rrugësh në Shqipëri, duke nisur nga akset nacionale në Tiranë, Vorë, Lushnje, Elbasan apo Korçë e Lezhë. Vendimi është marrë këtë të mërkurë në selinë blu, ku kryedemokrati Lulzim Basha ka patur një sërë takimesh me kryetarët e degëve të PD nëpër rrethe, deputetët e po ashtu kryebashkiakët e djathtë.

Bllokimi i disa akseve rrugore në vend do të jetë vetëm hapi i parë i mosbindjes civile, teksa vetë Basha këtë të mërkurë i ka bërë thirrje qytetarëve që të refuzojnë të paguajnë taksat e reja, të vëna nga qeveria Rama.

Nga ana tjetër, e enjta shënon dhe një ditë parlamentare. Mbetet ende “surprizë” ajo se çfarë do të ndodhë në parlament, ku pritet që opozita të ketë përplasje të forta me qeverisë, e sigurisht me kryeministrin Edi Rama, mbi temën e nxehtë të taksës së kripur në Rrugën e Kombit.

E nesërmja do të jetë gjithashtu jo vetëm një “kamp” ku do të ushtrohet mosbindja civile, por edhe dita kur të gjithë do të marrim vesh nga gjykata, nëse të arrestuarit për protestën në Rrugën e Kombit, do të dënohen me burgim apo do të lihen të lirë, një çështje kjo e cila ka tërhequr jo vetëm familjarët e të arrestuarve në protesta të forta në Tiranë, por edhe vëmendjen e të gjithë opinionit publik shqiptar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme