Prokuroria Speciale në Hagë nesër do t’i kthejë pajisjet që i kishte marrë gjatë arrestimit të krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Kështu bëri të ditur Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të OVL UÇK-së.
“Zyrtarët e Prokurorisë Speciale në Hagë, 6 muaj pas bastisjes në selinë qendrore të OVL UÇK-së në Prishtinë, më kanë njoftuar se nesër 24.03.2021 në ora 10:00, do t’i kthejnë pajisjet të cilat i kanë marrë me 25.09.2020, në të njëjtën ditë kur i arrestuan padrejtësisht kryetarin Hysni Gucati dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj”.
Ai tha se e kanë autorizuar avokatin Tomë Gashi, që t’i marrë pajisjet.
“Ne kemi autorizuar avokatin e OVL të UÇK-së z.Tomë Gashi, i cili nesër, në kohën e lartëshënuar, do të shkoi në zyret e Prokurorisë Speciale të Hagës, që janë në kompleksin e EULEX-it në Fushë Kosovë, që t’i marrë pajisjet tona”.
Klinaku shtoi se Prokuroria duhet të jap sqarime se çfarë ka gjetur në ato pajisje.
“Prokuroria Speciale në Hagë, duhet të jap sqarime se çfarë ka gjetur në pajisjet tona…?”.