Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se ka rënie të nivelit të prurjeve të ujit në lumenj pas përmirësimit të motit.
Megjithatë, nga ky institut është paralajmëruar se nesër do të ketë reshje shiu në tërë vendit të cilat mund të përkeqësojnë situatën në zonat e prekura nga vërshimet gjatë ditëve të kaluara.
“Sipas parashikimeve dhe llogaritjeve të IHMK_s, (Sektorit të Hidrologjisë dhe Prognozave Hidrologjike), gjatë datës 24/01/2023, pritet të ketë përsëri reshje shiu, fillimisht në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të vendit ku parashikohet të jenë me intensiteti të ulët deri mesatarë, të cilat gradualisht do ta përfshinë pjesën më të madhe të vendit. Duke e pasur parasysh situatën me përmbytje të deri tanishme, sidomos në Mitrovicë, Skenderaj, Klinë etj, kjo gjendje mund ta vështirësoj edhe më tutje situatën, ngase rrjedhat ujore të këtyre zonave janë në kapacitetet e tyre maksimale, tokat sidomos ato në viset e rrafshëta janë të tejngopura me ujë dhe është limituar kapaciteti i tyre absorbues, gjegjësisht lagështia e tokës në shtresën sipërfaqësore”, thuhet në njoftim.
Reshjet e shiut gjatë javës së kaluar kanë shkaktuara vërshime në disa zona të Kosovës, ku komunat më të prekura ishin Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Zubin Potoku.