Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nesër me fillim nga ora 10.
Kështu ka njoftuar Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.
Pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë “Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës”.
Rezoluta e propozuar nga PDK-ja obligon ekzekutivin të bëjë ndarjen e mjeteve për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë, pagesën e sigurimit shëndetësor nga fillimi i vitit të ardhshëm e të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë.
Po ashtu, me fillim nga ora 13:00 në po të njëjtën ditë, do të ketë edhe seancë të rregullt plenare me 19 pika të rendit të ditës.
Në rend dite është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës “për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze”.