Studentët nuk heqin dorë nga protestat deri në plotësimin e 8 kërkesave. Ndërkohë që kryeministri Rama i kërkon dialog, ditën e nesërme ata kanë thirrur një protestë mbarëkombëtare.
Sipas planit të bërë publik nga vetë studentët ata nesër do të vazhdojnë me bojkotin e mësimit.
Ata kanë njoftuar se nga ora 9-11 do të mblidhen dhe do të protestojnë para fakulteteve dhe më pas në orën 11:30 deri në orën 14:30 do të jenë para kryeministrisë.
“Nesër, 17 dhjetor protesta vazhdon në Fakultete (9-11) dhe më pas para Kryeministrisë. Në orën 9-11 organizohemi përpara fakulteteve për të ndërgjegjësuar çdonjërin nga ne mbi kauzën tonë të drejtë. Studentët të pajisur me foni do të shpalosin në detaje kërkesat e tyre specifike për arsim cilësor. Folës të ndryshëm nga të gjitha programet e studimit dalin dhe denoncojnë me forcë problemet tona, padrejtësinë që na bëhen përditë, të cilat duhet të marrin fund. Studentët artikulojne kërkesa specifike për autoritetet drejtuese të Fakulteteve/Universiteteve. Përfaqësues nga fakultete/Universitete të tjera përshëndesin protestën dhe prezantojnë problemet e përbashkëta. Në orën 11:30 para kryeministrisë protesta vazhdon me bashkim të studentëve. Në orën 14:30 shpërndahemi qetësisht e në mënyrë qytetare”, shkruhet në njoftimin për protestën e ditës së nesërme.