Përmes organizimit dhe pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme, Let’s Do It Kosova, do ta shënojë 5 Qershorin, Ditën Botërore të Mjedisit.
Aktiviteti i parë për shënimin e 5 Qershorit do të nisë në orën 10:00 me një organizim të përbashkët të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Komunës së Prizrenit, Let’s Do It Kosova dhe disa organizatave të tjera që merren me çështje mjedisore.
Po ashtu, në orën 10:00 do të mbahet një aksion pastrimi në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit, për të vazhduar pastaj me mbjelljen e fidanëve.
Në po të njëjtën ditë (5 Qershor), Let’s Do It Kosova do të organizojë aksion për largimin e mbeturinave në Liqenin e Vermicës. Aksioni do të mbahet në kuadër të projektit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë “Skema e granteve për nismat e avokimit nga organizatat me bazë në komunitet” – zbatuar nga KCSF (Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile).
Aktivitetet për nder të Ditës Botërore të Mjedisit do të vazhdojnë edhe ditën e martë (6 qershor) në Komunën e Shtimes, ku do të krijohet grupi i vullnetarëve të gjelbër, si dhe do të mbahet trajnimi për vullnetarizëm, i cili mbështetet nga Departamenti i Rinisë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Po ashtu, përveç datës 5 Qershor, aktivitetet për pastrimin e deponive ilegale do të vazhdojnë edhe më 6 qershor në komunat: Istog, Shtime, Mitrovicë, Fushë Kosovë dhe Pejë.
Përveç largimit të deponive ilegale, në Komunën e Pejës do të organizohen edhe aktivitete të tjera për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit. Në këtë komunë, do të mbahet aktivitet sportiv dhe bashkëbisedim për mjedisin me fëmijët 8 deri në 12 vjeç.
Aktivitetet dhe aksionet e tilla do të vazhdojnë edhe më tej. Let’s Do It Kosova do të vazhdojë të loboj dhe avokoj tek institucionet që çështjet mjedisore të trajtohen me prioritet, ndërsa edhe më tej do të vazhdojmë fushatën vetëdijesuese me qytetarë.