Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancë plenare si vazhdim i asaj të datës së 23 qershorit, në të cilën pritet të votohet rezoluta për dialogun Kosovë-Serbi. Kjo pasi dje nuk pati kuorum të votohet.
Kryeministri Avdullah Hoti në raportimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe takimin në Washington tha edhe njëherë se është ai që do të udhëheqë dialogun.
Hoti tha se në dialog po hyjnë për njohje reciproke dhe për të siguruar anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, derisa shtoi se parimet për procesin e dialogut mbështetën në Kushtetutën e vendit.
“Dialogu udhëhiqet nga kryeministri i vendit, sepse kështu thotë Kushtetuta e vendit, sepse kështu thotë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit të kaluar. Tani sa i përket parimeve për procesi ne dialogut, janë tre parime të artikuluara në Kushtetutë, e para që integriteti territorial është i panegociushëm, e dyta që organizmi kushtetues i vendit është i panegociushëm dhe e treta që marrëveshja që mund të arrihet duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kransiqi e ka kritikuar kryeministrin Avdullah Hoti pse nuk e ka prezantuar platformën për dialog së pari në institucionin ligjvënës.
“Ju me qasjen tuaj deri tash e keni fyer Kuvendin. Ju as që keni kërkuar të vini këtu sonte dhe të paraqitni platformën tuaj për dialogun. Prezantimi i platformës tuaj kudo tjetër, para Kuvendit të Kosovës është fyerja për të cilën po flas. Lirisht keni mundur të shkoni edhe në ndonjë klub të pleqve njësoj siç keni shkuar në akademinë e Shkencave dhe të Arteve, apo ndoshta do të kërkoni tash mbështetje dhe votat e tyre për dialog, pse për ndonjë komision për dialogun. Nuk është Kuvendi bira e fundit e kavallit siç thotë populli, dhe ju lutem mos e trajtoni Kuvendin si të tillë”, tha ai.
Krasniqi kërkoi nga Hoti që të raportoi sot për agjendën e takimin në Uashington dhe qëndrimet e qeverisë lidhur me temat që do të diskutohen.
Derisa Hoti kërkoi që opozita të përfshihet në çështjen e dialogut, Krasniqi tha se një kërkesë e tillë është hipokrizi nga Hoti i cili siç tha ai dikur ai vet ka refuzuar diçka të tillë.
“Tash kur jeni në pushtet, njëjtë si Albin Kurti para disa kohe, kërkoni mbështetje e pjesëmarrje të opozitës në dialog, bile me një lloj fontanë dëshirash edhe ju sikur paraardhësi juaj e keni projektuar edhe në çfarë role duhet me qenë ne si opozitë. Por të u them të drejtën kjo për mua është një lloj hipokrizie, nuk besoj se keni të drejtë morale për të kërkuar ato që keni refuzuar mbi një vit kur ju vet keni qenë në opozitë”.
Në raportimin e tij para deputetëve, Hoti përsëriti që marrëveshja me Serbinë do të bëhet e tillë qe të kalojë në Kuvendin e Kosovës, në të kundërtën, sipas tij, nuk do të bëhet fare.
“Nuk ka me ardh marrëveshjes që rrëzohet në këtë Kuvend. Nuk keni me pa asnjëherë nga unë platformë ose dokument që ka me u kërkua me dhënë komente e sugjerime, platforma për dialog është Kushtetuta e Kosovës, pikë nuk ka përtej saj”, tha Hoti.
Në seancën e djeshme ku kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, raportoi para shkuarjes në dialog me Serbinë, më 27 qershor në Washington, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, tha se është koha e fundit që nga dialogu me Serbinë, Kosova të shohë ndonjë rezultat konkret.
“10 vite dialog, plot marrëveshje të arritura, e plot të paimplemeturara. Për të dalë këtë trend, u ndërpre këtij dialogu. Ne si deputetë kërkojmë transparencë dhe do ta mbajmë qeverinë në mbikëqyrje. Ajo cka na intereson ta dimë është agjenda, platforma”.
Deputetja kritikoi partitë politike opozitare, të cilat po e refuzojnë pjesëmarrjen në proces, njofton Klan Kosova.
Deputetja Saranda Bogujevci në emër të Lëvizjes Vetëvendose, duke folur për takimin e 27 qershorit në Uashington, ka thënë se nuk është e mundur me një shtet që ka qenë agresor gjatë luftës, destruktiv e mohues të krimeve pas luftës, të diskutohet për zhvillim ekonomik, pasi ekzistenca e Kosovës si shtet është pengesë për Serbinë.
Ajo pati edhe disa pyetje sa i përket takimit në Washington.
“Kur dhe si u vendos që të shkohet në takim me Vuçiqin për çështje të zhvillimit ekonomik siç po deklarohen, kur dhe ku u vendos që këto janë prioritetet e Kosovës në raport me Serbinë, kush ua dha mandatin për këto tema…. nuk është e mundur me një shtet që ka qenë agresor, destruktiv pas luftës dhe mohues të krimeve të diskutohet për zhvillim ekonomik, pasi ekzistenca e Kosovës si shtet është pengesë për Serbinë”, tha ajo duke shtuar se asnjëherë nuk është shtruar tema për krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë.