New York Times: Rasti i vajzës në Drenas nxit fushatën #MeToo në Kosovë

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Vajzës nga Drenasi, e cila pretendon se u dhunua nga mësuesi i saj e më pas edhe nga polici për të cilin thotë se e detyroi të abortojë, i ka kushtuar një artikull edhe gjiganti mediatik “New York Times”.

Rasti i trishtë që bëri bujë në fillim të këtij viti në Kosovë, u portretizua në gazetën amerikane, e cila shkruan se kjo ngjarje nxiti një reagim në vend që ngjason me lëvizjen mbarëbotërore #MeToo.

Në një rajon të Ballkanit ku dhuna në baza gjinore ka qenë një problem i shfrenuar, tragjedia e vajzës goditi një nerv. Qindra njerëz, kryesisht gra, dolën në rrugë në mbështetje të saj, me slogane kundër policisë dhe gjyqësorit, duke i akuzuar ata për dështimin për të mbrojtur të drejtat e grave, si dhe trupat e tyre. New York Times shkruan se ky rast përbënte përjashtimin.

Vajza, e cila ka kërkuar të mbetej anonime, ka dhënë një intervistë për këtë media, me ç’rast ka treguar në detaje atë çka përjetoi.

“Unë dua që ata të marrin dënimin maksimal, sepse ata më kanë shkatërruar” është shprehur ajo.

Tani 18 vjeçare, ajo ka thënë se dëshiron të dëshmojë në gjykatë, ndonëse  mbetet e frikësuar nga abuzuesit dhe shqetësohet rreth asaj se si do të gjykohet në një shoqëri ku viktimat e dhunës seksuale shpesh fajësohen dhe turpërohen.

Madje ka thënë se e kishte konsideruar vetëvrasjen.

Ajo nuk ka marrë ndonjë këshillim dhe nuk është vizituar te asnjë mjek që nga aborti i saj, tha ajo. Prindërit e 18 vjeçares i thanë që ta ndërpriste shkollimin vetëm disa muaj para se ajo të bëhej anëtarja e parë e familjes që mbaronte shkollën e mesme.

Dhuna në familje është një problem i rrënjosur në Kosovë, siç janë përdhunimi dhe sulmet seksuale, sipas të dhënave nga prokuroria e shtetit. Ndërsa normat e raportimit po rriten, zyrtarët thonë se vetëm një pjesë e akteve të dhunshme kundër grave janë të regjistruara tek autoritetet dhe më pak akoma ndiqen penalisht.

Të ngjashme