Autori i monumentit të Pavarësisë së Kosovës, “NEWBORN”, Fisnik Ismaili ka parashtruar një ide sesi mund të duket monumenti për 9-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Idenë e tij, Ismaili ia ka përcjellë në mënyrë elektronike Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, konkretisht Komisionit për Vlerësimin dhe Shqyrtimin e Kërkesave dhe Projekteve Restauruese Konservuese të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës.
Sipas idesë së Ismailit, monumenti “NEWBORN” duhet të ngjyroset me pamjen e një muri, me tulla apo beton, dhe për të kompletuar instalacionin “No Walls”, “Pa mure”.
“Meqenëse ndërtimi i mureve është çështje që nuk flitet vetëm në Kosovë, por në mbarë botën, ideja është që ‘NEWBORN’-i të përçojë një mesazh të fortë, që kundërshton muret, apo çfarëdolloj ndarjeje që ndodh sot mes njerëzimit. Ideja është që të ngjyroset si mur dhe për t’ia rrëzuar shkronjat N dhe W, për të bërë të mundur kompletimin e instalacionit ‘No Walls’”, thotë ai.
Realizimi duhet të fillojë të hënën ose të mërkurën, ndërsa të enjten do të ngjyroset si mur. Po të enjten mbrëma rrëzohen shkronjat N dhe W, në mënyrë që të premten më 17 shkurt të jetë gati”, thuhet në kërkesën e Fisnik Ismailit.
Totali i shpenzimeve për këtë ide, sipas ideatorit të monumentit “NEWBORN”, mund të kapë shumën maksimale prej 3.000 eurosh.
Dihet që thelbi thelbi i monumentit “NEWBORN”, që prej krijimit të tij 9 vite më parë, është që t’i ndryshohet pamja çdo vit, duke simbolizuar një dukuri që ka të bëjë me Kosovën, si shtet i ri, dhe marrëdhëniet e saj me botën, qoftë politike apo sociale, por asnjëherë për t’u përdorur si mjet për mesazhe apo propagandë të brendshme politike.
Monumenti “NEWBORN” është pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, vendim i nënshkruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Shala.