Shënohet Dita e Fëmijëve me ekspozitë te Newborni, kërkohet të respektohen të drejtat e tyre

Prishtinë | 20 Nën 2020 | 13:15 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve, 20 nëntorit, organizatat Save the Children dhe Syri i Vizionit me mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), kanë përuruar ekspozitën e përkohshme kushtuar kësaj dite në monumentin e Newbornit, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast, në këtë monument fëmijët kanë shpalosur porosi si “I want to be born and grow up in a world where i have rights… to be alive, to quality education, healthcare” – “Dua të lind dhe të rritem në një botë ku kam të drejtën për jetë, për arsim cilësor, përkujdesje shëndetësore…”, “Free of covid” – “Pa Covid” dhe të drejtat tjera që përfshihen në Konventën për të Drejta të Fëmijës.

Yll Kosumi nga grupi i fëmijëve “Respect Our Rights”, tha se pret që ligjet që prekin të drejtat e fëmijëve duhet të zbatohen e mos të mbesin vetëm në letër.

“Ne sot jemi mbledhur sepse kemi dashur të shënojmë 20 nëntorin ditën e miratimit të konventës së fëmijëve në mënyrë simbolike. Kemi dashur t’i shkruajmë disa thënie. Kjo ditë është shumë e veçantë për ne për shkak se konventa shkruan ligje të cilat mbrojnë fëmijët”.

“Shpresojmë që këto ligje do të zbatohen dhe të mos mbesin ligje në letër. Shpresojmë që qeveria të na ndihmojnë në rrugëtimin tonë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe shpresojmë për një të ardhme më të mirë për fëmijët. Ky vit ka qenë i begatë për ne sepse është miratuar ligji për mbrojtjen e fëmijëve”.

Habit Hajredin, nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të zyrës së kryeministrit, tha se ky aktivitet ka për qëllim të ngrisë vetëdijen e institucioneve dhe qytetarëve për mbrojtjen e fëmijëve.

“Është një fushatë e përbashkët që po lansohet nga institucionet e Kosovës në bashkëpunim me Save dhe Children dhe ka për qëllim të ngrisë vetëdijen e institucioneve dhe qytetarëve për mbrojtjen e fëmijëve. Në korrik të këtij viti ka hyrë në fuqi Ligji për mbrojtjen e fëmijëve që mbron të drejtat e fëmijëve”.

“Ne vetëm kemi filluar me hapin e parë t’i obligojë ministritë për edukim, mirëqenie sociale. Ne bëjmë thirrje të ketë thirrje mobilizim institucional që të punojmë më shumë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”.

Ahmet Kryeziu, drejtor i “Save the Children” theksoi se ne bashkërisht do të investojnë në të drejtat e fëmijëve, raporton EO.

“Duke pasur parasysh rrethanat kemi marrë bashkërisht që të investojmë më shumë në të drejtat e fëmijëve duke pasur parasysh pandeminë dhe të gjitha vështirësitë mendojmë që është e drejtë të gjithë të kontribuojmë që të drejtat e fëmijëve dhe zëri i tyre të dëgjohet”.

“Pasi ligji për të drejtat e fëmijëve është aprovuar mbetet që  të kontribuojmë sa më shumë. Ne jemi shumë të lumtur që është miratuar ligji dhe është në fazën fillestare dhe ekziston vullneti për një angazhim të gjithëve”.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Save the Children, Syri i Vizionit si dhe fëmijët e grupeve avokuese “Respect Our Rights” e “Hëna” kanë lansouar fushatën “Unë pa dhunë”, e cila ka për synim ngritjen e vetëdijes për efektet dhe ndikimin e dhunës te fëmijët.

Po ashtu do të mbahet një takim online i fëmijëve me Komisionin Parlamentar për Arsim, ku do të paraqitet raporti për ndikimin e Covid-19 në arsimimin e fëmijëve.

Të ngjashme