Para shumë qytetarëve, është prezantuar obelisku “NewBorn” me pamje të re, që sivjet iu kushtohet të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, raporton Ekonomia Online.
Në çdo shkronjë kishte një mbishkrim që ishte shkruar nga të dhunuarat seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani premtoi se zëri i të mbijetuarave të dhunës seksuale do të dëgjohet përgjithmonë.
“Jo vetëm ky organizim, dedikim i sotëm do të jetë zëri ynë në institucione por i gjithë zëri i qytetarëve të Kosovës për të luftuar stigmën është i nevojshëm në mënyrë që t’i nderojmë sakrificën të cilën e kanë përjetuar gratë dhe burrat në Kosovë”.
“Sot kur i shikojmë këto citime drejtpërdrejta nga gratë e dhunuara gjatë luftës, ku njëra prej tyre më bëri përshtypje ku thotë ‘dua që plaga ime të ketë zë’. Dëshiroj që të zotohemi që ajo plagë të ketë zë sot e përgjithmonë”, ka thënë Osmani.
Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), tha se këtë vit monumenti ‘NewBorn’ i dedikohet një kategorie mjaftë e veçantë, siç janë të mbijetuarat e dhunës seksuale.
“Këtë vit monumenti ‘NewBorn’ i dedikohet një kategorie shume të veçantë dhe shumw të ndjeshme, të mbijetuarave të dhunës seksuale, jo vetëm në Kosovë por mbarë botës”.
“Në këto shkronja ndërthuren rrëfime e mbijetuarave të dhunës seksuale dhe përmes këtij ilustrimi dua ta falënderoj Fisnik Ismailin dhe mendojmë që shoqëria kosovare të ndalet se paragjykuari dhe t’i anashkaloj gjitha ato zëra, klithma e vuajtje që i kanë mbijetuar gjatë luftës”, tha ajo.
“NEWBORN”, është shndërruar në akronim ku secila shkronjë e nis një fjalë, duke e përpiluar këtë fjali, të shkruar në pjesët anësore të monumentit: Never, Ending, Wars, Bring, Oppression,Rape & Neglect.
Në shqip do të thotë “Luftërat e pafundme sjellin shtypje, përdhunime e shpërfillje”.